Kadri Veseli nis ngjitjen në parti

Ish-shefi i ShIK-ut, Kadri Veseli, ka nisur ngjitjen e tij në strukturat menaxhuese të Partisë Demokratike të Kosovës. Ai është zgjedhur unanimisht në seksionin 4-të të nëndegës së Bairit nga 65 e delegatët e pranishëm.
Mbledhja është mbajtur të premten dhe çdo gjë ka shkuar sipas “planit zgjedhor”, ka thënë kryetari i Nëndegës së Bairit.
“Gjithçka ka shkuar siç duhet, Kadri Veseli ka dalë i pari dhe është votuar në mënyrë unanime nga 65 delegatët pjesëmarrës”, ka thënë Nysret Ymeri, për Gazetën Jeta në Kosovë.
Nëndega e Bairit ka gjithsej 11 seksione. Seksioni në të cilin ka votuar Kadri Veseli do të dërgojë në kuvendin zgjedhor të nëndegës pesë delegatë.
Siç transmeton gazeta Jeta në Kosovë, ish-shefi i ShIK-ut pritet të zgjidhet pa problem dhe në kuvendin zgjedhor të nëndegës, dhe të jetë në mesin e 143 delegatëve të Degës së Mitrovicës.
“Këshilli Drejtues do t’i ketë 51 anëtarë dhe kryesia e kësaj dege do të përbëhet nga 13 anëtarë”, sqaron nënkryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Ukshin Rrecaj.
Dega e PDK-së në Mitrovicë numëron rreth 8 750 vota nga votuesit e saj. Kjo degë ka rreth 30 nëndegë, e cila në Kongresin e Përgjithshëm të PDK-së pritet t’i dërgojë rreth 15 anëtarë.
Drejtuesit e Degës në Mitrovicë nuk kanë dashur të parashikojnë nëse Veseli mund të marrë drejtimin e Degës së PDK-së. Por, Ukshin Rrecaj ka thënë se është mese e qartë se aderimi i “Lulit”, sikur njihet me pseudonim, do ta forcojë shumë PDK-në.
Veseli madje është përmendur, nga njohës të rrethanave brenda PDK-së, si kandidat serioz për udhëheqjen e partisë, sidomos nëse lideri i pakontestueshëm deri më tash, Hashim Thaçi, do të synonte postin e presidentit të vendit.
Por, ai nuk ka dashur të kooptohet drejtpërdrejt në strukturat udhëheqëse të partisë, por ka preferuar të nisë garën nga baza./Indeksonline/