E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kafareli: “Po e nënvlerësuam Vllazninë, e pësuam”



Xhixhi Kafareli, vëzhguesi i Napolit ka dhënë një intervistë të gjatë për tuttonapoli.net në lidhje me gjendjen e Vllaznisë, në prag të sfidës së parë të vlefshme për turin e dytë eliminator të Kupës UEFA. Pyetjes së nëse Napoli do të ketë vështirësi për të kaluar turin e ardhshëm të Kupës UEFA kundër Vllaznisë, Kafareli u përgjigj: “Do të jetë sigurisht një impenjim i vështirë, para së gjithash për faktorin e ambientimit. Ky klub është shumë i dashur dhe i ndjekur në Shqipëri, kështu që Napoli do të gjejë dhe do të përballojë një formacion me stimuj të pabesueshëm, për vetë faktin se dhe organika është e përbërë me djem të rinj dhe që kanë uri për futbollin ndërkombëtar. Do të ishte e gabuar ta nënvlerësonim këtë impenjim, një gabim që sigurisht skuadra jonë nuk do ta bëjë, pasi ndeshja është thelbësore. Historia e kohëve të fundit na mëson se edhe skuadra më pak të vlerësuara në letër mund të të nxjerrin probleme, si skuadrat e tipit të Panionos (kundërshtarit të fundit të Napolit në Kupën Intertoto), skuadra teknikisht më të dobëta se Napoli, por që krijuan jo pak probleme para së gjithash në transfertë. Për formacionin tonë do të jetë shumë e rëndësishme kjo ndeshje (me Vllazninë), para së gjithash për më të rinjtë e skuadrës, të cilët duhet të ambientohen në ndeshjet e nivelit të madh, pasi në të ardhmen do të përballen me skuadra akoma më të vështira dhe kështu kanë nevojë të gjenden të përgatitur për të përballuar çdo lloj situate. Përfundimisht ndeshja kundër Vllaznisë duhet të trajtohet me vëmendjen maksimale dhe jo të nëpërkëmbet”.
Takimi Vllaznia-Napoli do të luhet, më 14 gusht në orën 20:30, ndërsa ajo e kthimit në “San Paolo”, më 28 gusht. Në Itali takimi do të transmetohet direkt në internet nga “Napoli TV”, ndërkohë që të drejtat e transmetimit televiziv ka të ngjarë t’i marrë televizioni shtetëror “Rai Uno”. Sajtet sportive pranë Napolit janë duke i ndjekur zhvillimet e fundit në kampin shkodran, duke raportuar me detaje për të gjitha lëvizjet, përshirë edhe transferimin e Sukajt, Telit e Likës në Turqi. Sukaj, lojtar i përfaqësueses shqiptare U-21, ishte autori i dy golave kundër sllovenëve të Koperit, që solli edhe kualifikimin e Vllaznisë në turin e dytë. Në faqen tuttonapoli.net nuk mungojnë as fotot e dhomave të dusheve të stadiumit “Loro Boriçi” (sipas tyre modest) të marra nga faqja vllaznia.eu.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›