E Diel, 1 Nëntor 2026

Kafe e duhan, sekreti i jetëgjatësisë?!

Pi çdo ditë tetë filxhan kafe dhe tymos dhjetë llulla, që kanë duhan sa 50 cigare

Një çibuk i vjetër e i djegur nga përdorimi i gjatë i bën shoqëri të vazhdueshme në ditët e jetës së saj që dalëngadalë po shënon 114 vjet. çdo mëngjes esëll konsumon katër filxhanë me kafe turke dhe katër të tjerë i pi gjatë pasdites e mbrëmjes. Ndërsa me duhanin ka një lidhje shumë të hershme. E ka shijuar fshehurazi që kur ka qenë vajzë e re. Madje njëherë i shoqi e kishte pikasur teksa e pinte dhe e kishte rrahur paq, duke i thënë që ta ndërpriste menjëherë, po kur e kishte parë se çfarë bënte e shoqja për të marrë nikotinën që i mungonte ia kishte blerë vetë kutinë e duhanit duke i thënë: “Pije e mos u fshih më”. Dhuna dhe kufizimi që i pati bërë burri në atë kohë e çonte të moshuarën, atëherë nuse e re në fshat, drejt duhanishtes për të përtypur fshehurazi gjethet e duhanit. Me to në gojë e gjeti i shoqi dhe që atëherë Taneja mori lejen për ta pirë pa frikë. Ajo tymos rreth dhjetë llulla në ditë. Një llullë mban duhanin e pesë cigareve normale. Në muaj konsumon më shumë se 1 kg duhan. Në jetë ka konsumuar vazhdimisht produkte bulmeti dhe mish e fasule. Të gjitha këto përbëjnë bazën ushqimore të saj dhe askush nuk di të thotë nëse duhani e kafja vrasin shëndetin. Nënë Taneja është aty si dëshmi e gjallë e njeriut që nuk ka asnjë sëmundje në trup e që herë pas here konsumon ndonjë aspirinë kur i dhemb koka. Ata që e mbajnë ndërkohë vuajnë sëmundjet e moshës, por jo ajo. Përveç dëgjimit dhe kujtesës, sëmundjet e kanë harruar dhe 114- vjeçarja kërkon njerëz, dashuri e vëmendje për të mos u ndjerë barrë dhe e pasigurt.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›