Mesazhe paqeje për Sulltan Novruzin

Një ditë e ngrohtë me mot të këndshëm më 22 mars, në ditën e ringjalljes. Disa e quajnë ditën e dialogut, të tjerë të dashurisë, mirëkuptimit, tolerancës dhe harmonisë.
Ashtu siç ndodh në raste festash fetare, besimtarët urojnë, përqafohen, bëjnë dhurata e mbi të gjitha japin mesazhe paqeje e begatie.
Haxhi Dede Reshat Bardhi u uroi të gjithë besimtarëve festën e Sulltan Novruzit. “Bekim, paqe kurdoherë në veprat tuaja të mira! Zoti ju dhaftë shkëlqim dhe dritë në udhën tuaj! I lutemi Zotit të na lartësojë e të na mbushë me dashuri. Të na mundësojë përkushtimin moral e atdhetar, duke përbuzur egoizmin, veset e huaja dhe të falim dashuri njeriut për njeriun dhe lumturi familjare”, kjo ka qenë edhe një pjesë e urimit të Baba Reshat Bardhit. Edhe këtë vit festa e Novruzit u kremtua nga të gjithë besimtarët myslimanë bektashinj. Me rastin e kësaj feste, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u zhvillua ceremonia tradicionale fetare.
Për tri ditë me radhë të gjithë besimtarët bektashinj festojnë ditën e lindjes së Imam Aliut dhe kryejnë të gjitha ritet fetare.
Dje besimtarët bektashinj kremtuan Ditën e Novruzit, ditëlindjen e Imam Aliu. Sipas sektit bektashian, Festa e Novruzit shënon fillimin e vitit të ri dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Në këtë ditë, besimtarët shtrojnë tryezën, bëjnë kulaç, byrek ku fusin brenda monedha, ëmbëlsirë si dhe gatime tradicionale. Besimtarët urojnë njëri-tjetrin, kryejnë vizita, presin të afërm për vizitë apo për të drekuar të gjithë bashkë. Kjo është një ditë pranvere, e cila simbolizon ringjalljen, mirëkuptimin dhe shkëmbimin e mesazheve të urimit, të paqes dhe begatisë. E njëjta atmosferë për më shumë mirëkuptim, dialog, komunikim e mbi të gjitha tolerancë, është proklamuar edhe nga përfaqësuesit e politikës shqiptare.
HistoriaSipas burimeve historike, bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman, si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën. Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ajo lindi në Anadoll, në shekullin XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj, Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri, Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Përfaqësuesit e bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për çlirim.
#