SHBA: Vlerësojmë organizatorët e zgjedhjeve - qeveria e re do matet me vepra dhe jo me fjalë
Ambasadori i SHBA në OSBE, Ian Kelly përgëzon qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen paqësore dhe aktive në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, duke vlerësuar standardet që përmbushi procesi. Ai i kujtoi mazhorancës së re, se ajo do të matet nga veprat dhe jo nga fjalët që janë shqiptuar gjatë fushatës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin të gjitha palët politike në Shqipëri që të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive për të çuar përpara zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, ambasadori i SHBA-së në OSBE, Ian Kelly vlerësoi pjesëmarrjen aktive dhe paqësore të qytetarëve shqiptare në zgjedhjet e 23 qershorit, për të ushtruar të drejtën më bazike, atë të votës. SHBA nxit palët politike që të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive për të çuar përpara zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë. “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzojmë qytetarët e Shqipërisë për pjesëmarrjen e tyre paqësore dhe aktive në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Anembanë vendit, qytetarët shqiptarë morën pjesë masivisht për të ushtruar atë që e konsiderojmë të drejtën demokratike më bazike – të drejtën e votës. Mbështesim misionin e vëzhgimit zgjedhor të OSBE/ODIHR si dhe vlerësimin e përbashkët nga ODIHR, Asambleja parlamentare e OSBE-së, dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, të cilët vlerësuan se qytetarët shqiptarë kanë shprehur lirisht vullnetin e tyre në kutinë e votimit. Nxisim autoritetet që të finalizojnë numërimin dhe të trajtojnë çdo ankimim në mënyrë transparente, të shpejtë dhe në përputhje me shtetin ligjor”- u shpreh ambasadori i SHBA në OSBE, Kelly. Ai i përcolli klasës politike mesazhin e Pentagonit, për realizimin e objektivave të integrimit dhe zhvillimit demokratik. Gjithashtu, SHBA thekson se udhëheqësit e rinj politikë nuk do të vlerësohen nga ato që thonë, por nga ato që do të bëjnë. “Tani që populli i Shqipërisë ka bërë të dëgjohet zëri i tij, Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive për të çuar përpara zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë. Puna e vështirë e ndërtimit të demokracisë nuk mbaron pasi numërohen votat dhe shpallen fituesit. Udhëheqësit politikë do të gjykohen jo nga ajo që thonë, por nga ajo që bëjnë. Pas formimit, nxisim qeverinë e re që të vazhdojë të forcojë shtetin ligjor, të rrisë standardet e të drejtave të njeriut, të promovojë qeverisje transparente dhe llogaridhënëse, të promovojë zhvillimin ekonomik dhe të punojë drejt reformash të qëndrueshme demokratike në rrugën konsensuale të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky është një proces i cili, ashtu si përpara këtyre zgjedhjeve, do të kërkojë që edhe ata në opozitë të luajnë një rol konstruktiv, dhe ne kërkojmë angazhimin e tyre edhe në të ardhmen e Shqipërisë. Bashkohemi me Bashkimin Europian për të mirëpritur bashkëpunimin konstruktiv midis Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR dhe Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE gjatë këtyre zgjedhjeve në Shqipëri, dhe shprehim shpresën tonë që kjo qasje pozitive do të shërbejë si themel mbi të cilin të rinovohen angazhimet e shprehura në Vendimin 19/06 të Këshillit Ministerial dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit të vitit 1997”- përfundoi fjalën e tij përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, ambasadori i SHBA-së në OSBE, Ian Kelly.
...