E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kafshë të "robëruara", në objektiv

Artistët shqiptarë, Anri Sala dhe Fani Zguro, si dhe italiani Bruno Muzzolini do të marrin pjesë në Kolumbi në një ekspozitë kolektive në galerinë "Valenzuela & Klenner". Ekspozita kolektive e cila do të inaugurohet më 12 gusht do të paraqesë tri video të këtyre artistëve. Te videoja "Ujku" e realizuar në vitin 2008, Bruno Muzzolini, filmon në kopshtin zoologjik të Tiranës, kafshën nga merr titullin dhe vetë videoja. Një ujk qëndron pa lëvizur në këmbë, duke u dridhur brenda kafazit të tij. Telekamera shoqëron momentin statik të kafshës, dhe çdo moment që kalon e bën edhe më dramatike gjendjen depresive të ujkut, i cili frikësohet gjithmonë e më shumë sa herë që dikush kalon pranë tij.

Tek "Arena" e vitit 2001, videoja nga e cila merr dhe titullin ekspozita, Anri Sala fokusohet në mënyrë intime në ambientet e kopshtit zoologjik të Tiranës. Por në këtë video, interesimi i artistit merr karakter vëzhgues që shndërrohet në dëshmi. Telekamera, e cila lëviz në mënyrë standarde mjaft ngadalë, përpiqet të fokusojë brendinë e kopshtit zoologjik dhe peizazhin që e rrethon. E veçanta në video është fakti, sepse aty shkrihen në mënyrë të natyrshme ambientet e izoluara të kafshëve të egra me ambientin tashmë natyral të kafshëve urbane që ndodhen aty pa asnjë kuptim. Tek "Arena" përballemi me një lloj përdhunimi të natyrshëm, i cili shfaqet pa asnjë kompromis me ambientin. Koha rrjedh bosh në një hapësirë absurde, ku përveç trishtimit nuk ngre asnjë pyetje. Te "Me një rrahje të syrit (të verbër - 2008)", Fani Zguro fikson nëpërmjet objektivit të telekamerës për disa minuta syrin e sëmurë të një qeni të verbër. Përgjatë gjithë videos hasim të njëjtën situatë. Në video figuron vetëm syri i sëmurë i pastorit të verbër, i cili për të kompensuar shqisat reagon menjëherë sa herë që pranë tij lëviz diçka. Në video-audio mungon dhe i vetmi detaj i videos, ekziston në hapjen dhe mbylljen e syrit të verbër dhe të sëmurë, që krijon dhe performancën në video.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›