E Shtunë, 31 Tetor 2026

DIPLOMATI I BRUKSELIT DHE USTA XHEPI JANE NE NJE MENDJE

Qëlloi që brenda së njëjtës ditë të ndeshja me disa ndodhi, të cilat mbartin në vetvete të njëjtin shqetësim, edhe pse në pamje të parë nuk ngjasojnë si të tilla.

1.

Një gazetar që raportonte nga Brukseli më përcolli shqetësimin e një diplomati të rëndësishëm, i cili raportohej të kishte mërmëritur se sjellja e klasës politike shqiptare me rezultatin e zgjedhjeve të fundit politike është provë e papjekurisë së disa prej drejtuesve të saj dhe e mospasjes së ndjenjës së përgjegjësisë për atë se si e përfaqësojnë këta "liderë" vendin në arenën ndërkombëtare. Nuk do të ketë mundësi që raportet, të cilët ne përgatisim në raste të tilla dhe që i përcjellim zakonisht zgjedhjet, të mos reflektojnë e të mos ndikohen nga qëndrimi i partisë më të madhe politike të opozitës, - mësohet të ketë thënë diplomati.

Me këtë rast, raportuesi në fjalë nuk e fsheh faktin se në qëndrimin e diplomatit jo se mungonte edhe një ndjenjë përçmimi për politikanët tanë, për rrjedhojë edhe për vendin që ata përfaqësojnë, e që në këtë rast është thjesht vendi ynë.

2.

Pasdreke, nën diellin përzhitës të Tiranës, shkova të riparoj makinën, më saktë krikun e njërit prej xhamave, tek ustai, me ç‘thonë, më i mirë i këtij profili, tek usta Xhepi. Ndërkohë që ai merrte e jepte me mekanizmin në fjalë, që për mua dukej më i komplikuar se gjuha aramaike, së bashku me shkrimet etruske, bënim bisedat e zakonshme që përcjellin ngjarje të tilla. Sa vapë! Vapë e paparë, mos pyet! U dogjëm fare! A keni pasur ujë? Rrofshin depozitat, thuaj. Sa fëmijë ke? Unë kaq, ti aq. I ke këtu? Ca këtu, ca andej. (Në këtë rast fjala "andej", bashkuar me një tundje të paqartë koke, është Europa e Bashkuar). Mësova me këtë rast se, pas disa javësh usta Xhepi do të bëhej gjysh për herë të parë. Vajza që pritet të lindë jetonte së bashku me të shoqin në Trevizo të Italisë.

- Do të shkosh me këtë rast? - e pyes, - ja ku është Italia…

- Do të shkojë gruaja. Unë s‘mundem. Kjo puna e vizave… Dhe befas ustai i qetë Rexhep ndryshoi tonin e zërit, që u bë tashmë thellësisht personal: "Na çmendi ky i gjati (merrej vesh që e kishte fjalën për Ramën). Nuk i njoh zgjedhjet, thotë. Ai e thotë, po kush e paguan këtë? Ja, ne. Na thanë që të shkonim në votime, shkuam. Me letra njoftimi, na thanë; me letra njoftimi shkuam. Na bënë edhe nga një shenjë në thua, si atyre deleve që u ka rënë sëmundja. S‘thamë gjë. Janë provë për Europën, na thanë. E bëmë punën seriozisht dhe për Zotin, e bënë seriozisht të gjithë. Se ç‘bëjnë Sala me atë të gjatin tjetër, me komisionerët, ajo është puna e tyre. Humbe zgjedhjet, ik mor jahu, mos na pengo ne… Se asnjeri s‘e kupton dot. Ne bëmë si na thanë. E para kjo nuk thuhet, pasi del rezultati, dhe e dyta, nëse ia paskan vjedhur, ai ka faj vetë bashkë me ata që ua besoi t‘ia mbrojnë votat…".

3.

Kam bindjen se ishte po ajo ditë, kur një organ i përditshëm shtypi, botonte pjesë nga kujtimet e ish-presidentit Moisiu, pjesë nga një trilogji, siç thonë, që ai pritet ta hedhë në shitje së shpejti. Çfarë s‘kishte në to. Më tha Nano. I thashë Berishës. Bushit i tregova të vërtetën, pra që ne kemi një klasë politike të papërgjegjshme. Unë rezistova. Kështu është Jozefina. Këtë më tha prokurori…

Në të vërtetë, ky zakoni i publikimit të kujtimeve ende pa u mbyllur pas shpine dera e zyrës së rëndësishme që mund të kesh drejtuar, është shndërruar në një zakon të keq të disa prej funksionarëve të vendit. Njerëzit, për të cilët ata flasin, janë ende gjallë, janë ende aktivë në politikë dhe vetëm vetëpërmbajtja e këtyre të dytëve nuk ka bërë që në Shqipëri, shteti dhe funksionimi i zyrave apo institucioneve të shndërrohet përfundimisht në një thashethemnajë popullore. Përgjithësisht, kujtimet e tyre (që në të vërtetë këto shkrime mund të quhen "kujtime" aq sa mund të quhet turshi kastraveci i sapokëputur, i cili sa kohë nuk është konservuar, ende quhet kastravec), përveçse kanë doza të larta vetëheroizmi të padobishëm, përveçse janë lehtësisht të përgënjeshtrueshëm, përveçse kanë si zanafillë pakënaqësira që lidhen kryesisht me ndërprerjen e karrierës, asnjëherë nuk kanë në zanafillë një shqetësim qytetar, që lidhet me mbarëvajtjen e punës dhe funksionimit të institucioneve të shtetit. Për pasojë, janë në të vërtetë nxjerrje dufesh personale dhe abuzimi me konceptin e shtetit dhe me respektin për institucionet e tij.

Për këtë, mjafton të kujtojmë se asnjëri nga këta "heronj" të vetëdeklaruar nuk ka bërë një gjest të thjeshtë qytetar: të jepte dorëheqjen dhe të "denonconte" gjendjen "e keqe" të institucioneve.

E kjo të kujton deklaratat e Ramës, i cili, pasi iu mburr shqiptarëve se, vetëm pas ndryshimeve që, ai së bashku me Berishën i bënë Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të tjerë që lidhen me zgjedhjet, shqiptarët të ishin të qetë, pasi vullneti i tyre politik kësaj radhe nuk do të deformohej, në të dalë të rezultateve na "zbuloi" të kundërtën.

Dhe kjo e gjitha lidhet me një mentalitet ku e ku më të thellë e problematik, që vazhdojmë ta kultivojmë me këmbëngulje mes nesh, madje edhe atëherë kur pretendojmë "politikë të re", sipas së cilës, e vërteta dhe e drejta është vetëm pretendimi ynë dhe përtej tij nuk ka as institucione, as shtet, as interesa të të tjerëve... Le të themi të vendit tonë.

4.

Me të drejtë, dikush mund të më drejtojë me këtë rast një kundërarsyetim që lidhet me transparencën, me kokuljen dhe me abuzimin, i cili jo rrallë është vërejtur edhe në mesin tonë, kur shumë shkelje dhe poshtërsi janë fshehur dhe vazhdojnë të fshihen pikërisht në emër të "kombit", të "popullit" apo të "shtetit", paçka se për hir të së vërtetës, kjo fjala e fundit nuk është se përdoret.

Që një shoqëri demokratike e ka nevojë jetike transparencën, kjo nuk ka asnjë dyshim. Që një shoqëri demokratike nuk mund të quhet e tillë, nëse nuk zien nga kontradiktat dhe nga konfliktet, edhe kjo është e vërtetë. Madje, më shumë se sa kaq: një shoqëri demokratike dhe e hapur e nxit vetëkritikën e vetes, paguan për të dhe reflekton nga gabimet, nëse vërtet do që të jetë e tillë, pra e hapur dhe demokratike.

Çështja në fjalë është, së pari, një shtrat diskutimi: ku mbaron shteti (nënkupto: institucionet, interesat kombëtare) dhe ku fillon transparenca. Sa transparenca dhe vetëkritika ka në themel interesat e gjera, qoftë edhe të një institucioni të vetëm dhe sa ndoca interesa të vogla vetanake apo të tarafit?

…Kam një shok dentist që është edhe profesor në universitet. Sa herë që më qëllon të hipi në makinën e tij, nuk pranon ta ndezë atë nëse edhe unë nuk vendos rripin e sigurisë. Kjo ndodh përherë, edhe kur na duhet të udhëtojmë vetëm pak metra larg nga vendi i nisjes.

- E di që nuk përbën ndonjë rrezik - më thotë pa modesti të shtirur, më shumë për të justifikuar "bezdinë" që më shkakton - por unë dua të respektoj rregullat. Në fund të fundit, ky është kontributi im për shtetin dhe mbarëvajtjen e tij.

Dhe kështu qëllon të bashkohen në një mendje edhe diplomati i huaj në Bruksel, edhe usta Rexhepi, edhe miku im dentist: te respekti ndaj shtetit, që është në këtë këndvështrim, bashkim i interesave të qytetarëve e që na ka në themel një moral të përbashkët, që kurrsesi nuk mund të jetë vrastar i interesave të secilit. Përkundrazi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›