E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Kaizeri’: Serie A nuk i josh më yjet e futbollit

SHKRUAN: Jeton Selimi 16-03-2011 11:32

Legjenda gjermane Franc Bekenbauer ka thënë se futbollistët më nuk janë të interesuar të luajnë në Itali. Serie A deri disa vite më parë ishte ëndërr e shumë futbollistëve, por Bekenbauer ka theksuar se koha ka ndryshuar dhe se Italia më nuk mund të joshë yjet e futbollit. “Përpara, të gjithë dëshironin të luanin në Serie A, por nuk është më kështu”, tha Bekenbauer për calciomercato.com. “Mendoj se stadiumet luajnë rol të rëndësishëm në krizën e futbollit italian. Stadiumet thjesht nuk janë të mira sa duhet të jenë. Futbolli italian ka nevojë për organizimin e një gare të rëndësishme ndërkombëtare për të përmirësuar gjërat”, shtoi ai. Aktualisht, yjet që militojnë në Serie A janë vërtet të paktë në numër, ndërsa në Spanjë e Angli ata gjenden me shumicë. Madje, tanimë edhe Bundesliga mund të bëhet një stacion i preferuar për lojtarët me emër, pasi sezonin e ardhshëm do ta parakalojë kampionatin italian në renditjen europiane, duke i marrë kështu edhe një skuadër që do të militojë në Champions. Çka do të thotë se Italia do të ketë vetëm 3 ekipe në Ligën e Kampioneve dhe Gjermania 4. Është logjike që yjet të drejtohen aty ku kanë më shumë mundësi për t’u ekspozuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›