E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupa luan raundin e parafundit, katër ekipe për një trofe

SHKRUAN: Jeton Selimi 16-03-2011 11:28

Kampionia në fuqi e Kupës së Shqipërisë, Besa, do ta nisë mbrojtjen e trofeut në fazën e parafundit të veprimtarisë. Sot ajo do të ndeshet në gjysmëfinale me Tiranën dhe në kampin kavajas janë vërtet entuziastë në lidhje me një kuaklifikim të mundshëm sepse në ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut, formacioni i Gert Haxhiut ka bindur. Presidenti verdhezi Nexhat Bizhdili, beson se skuadra e tij ka mundësi që të shkojë deri në fund të veprimtarisë dhe ta mbrojë kurorën e saj. “Gara vazhdon për ne dhe do të japim maksimumin në Kupë, një objektiv të cilin, pavarësisht situatës në kampionat, ne synojmë ta arrijmë dhe do të bindim të gjithë skeptikët se Besa nuk e meriton të jetë në fund,” është shprehur bosi i kavajasve, që shpreson të sjellë në qytetin e tij trofeun e katërt. Por, përballë është Tirana e plagosur, që e luan ndeshjen e parë në fushën e saj dhe do të kërkojë të marrë maksimumin për ta pasur më pas më të lehtë në fushën kundërshtare. Presidenti Halili nuk ka ngurruar që të premtojë pagat e prapambetura përpara sfidës me Besën, çka mund t’i motivojë vërtet shumë bardheblutë. Mbrojtësi Tefik Osmani e sheh Besën si trampolinën e vetme drejt Kupave të Europës dhe shprehet se nuk ka ndërmend ta lërë këtë rast t’i ikë nga duart. “Besa do të kërkojë kualifikimin, por e vërteta është se e kemi ne në dorë, pasi luajmë ndeshjen e parë në fushën tonë. Kupa e Shqipërisë do të na shpëtonte sezonin dhe ne nuk duam që të mbetemi pa trofe,” është shprehur mbrojtësi i 24 herë kampionëve të vendit.

Barazimi me Teutën në kampionat ka bërë që tashmë e gjithë vëmendja e Vllaznisë të përqendrohet në gjysmëfinalen e vajtjes së Kupës së Shqipërisë. Jo se më parë nuk ishte, por dështimi për të ngushtuar diferencën me Skënderbeun e vendit të dytë e ka bërë të domosdoshëm për shkodranët suksesin me Dinamon. Xhevahir Sukaj, sulmuesi kuqeblu, i ardhur në skuadër në merkaton e janarit, nuk e sheh si disfavor faktin që do të luajnë kundër kryeqytetasve, sepse herët a vonë në këtë kompeticion duhet t’i përballosh të gjithë. Barazimi me Teutën sigurisht e ka zanafillën në ndeshjen e të mërkurës me Dinamon, edhe pse Vllaznia është munduar të fitojë ndeshjen, me forcat në dispozicion. Por fakti që Dinamo kishte një ndeshje pa impenjim – kundër Elbasanit, ka bërë që edhe kuqeblutë të ruanin forcat për sfidën e ‘Loro Boriçit’ të mërkurën, ndërsa ndeshja e kthimit do të jetë në kryeqytet më 4 prill. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe nuk duhet ta nënvlerësojmë aspak. Vllaznia kërkon ta mbyllë vitin me trofe dhe Kupa e Shqipërisë është i vetmi që mund të synojmë. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, sepse përballë do të kemi Dinamon, një ekip që ka gjithashtu të njëjtin objektiv. E rëndësishme është të mos pësojmë gol në fushën tonë,” ka deklaruar sulmuesi kuqeblu.

Kupa e Shqipërisë

Gjysmëfinalet

Vllaznia – Dinamo 16 mars – 4 prill

Tirana – Besa 16 mars – 4 prill

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›