Muriqi: Dua të bëhem kampion bote!
“Kosovo Kid” rikthehet të grushtojë pas 6 muajsh dhe bën të ditur objektivin e tij madhor
Elvir Muriqi do t’i rikthehet ringut pas një pauze gjashtëmujore. Boksieri kosovar, të cilit nuk i mungon kurrë optimizmi, beson se mund ta mposhtë çdo kundërshtar, në boksin profesionist për peshat gjysmë të rënda. Boksieri i njohur me nofkën “The Kosovo Kid”, nuk e ka lënë aspak anash objektivin e tij jetësor, që një ditë të shpallet kampion i botës. “Unë kam dëshirë të boksoj dhe mendoj se mund të bëhem kampion i botës, kur të më shfaqet kjo mundësi. Besoj se mund ta mposht çdo kundërshtar të peshave gjysmë të rënda. Ndiej se nuk kam humbur asnjëherë që nga viti 2004, por nganjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç i pret”, theksoi “The Kosovo Kid” në një konferencë të mbajtur në Nju-Jork. Më saktësisht, kjo konferencë është mbajtur para meçit të radhës, të cilin boksieri kosovar me pasaportë amerikane do ta zhvillojë më 2 prill. 31-vjeçari është i bindur se do ta fitojë edhe këtë meç, për të marshuar drejt titullit të kampionit të botës. “Premtoj se më 2 prill do të boksoj edhe më mirë se herën e fundit. Çdokush e di se unë jam i gatshëm në çdo kohë”, theksoi Muriqi. Kundërshtari i boksierit shqiptar, i cili në karrierë ka 38 fitore e 5 humbje, nuk dihet ende. Ndër opsionet që përmenden si kundërshtarë të mundshëm të Muriqit janë: Santer Silgado, Hoselito Kojado, Zhoel Kastijo e Tomi Rainone. Muriqi meçin e fundit e ka zhvilluar në nëntorin vitit të kaluar kundër Daniel Judahut. Ai këtë përballje e kishte fituar me vendim unanim të gjyqtarëve pas 10 rundeve të zhvilluara. Muriqi ishte pranë titullit të kampionit të botës disa vjet më parë, por ai kishte dështuar në momentet vendimtare, në meçin ndaj amerikanit Antonio Tarver. Sidoqoftë, njëri prej boksierëve më të mirë shqiptarë po punon intensivisht për t’i përmirësuar gabimet dhe nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Boksieri me prejardhje nga Peja gjatë karrierës së tij profesioniste ka zhvilluar gjithsej 43 duele. Prej tyre 38 meçe i ka fituar, ndërsa ka vetëm pesë humbje.