Murinjo: Reali s’druhet nga historia, Ola: Madrilenët do luajnë për një 0-0
Luhen sot ndeshjet e fundit e fazës së 1/8-ave dhe janë dy skuadra që duhet t’i bashkohen 6 të kualifikuarave të tjera për të kompletuar kështu çerekfinalet e Champions League. Real Madrid – Lion dhe Çelsi – Kopenhagen janë dy çiftet e fundit, por enigmat më të mëdha janë zhvendosur në ‘Santiago Bernabeu’, pasi londinezët e kanë mbyllur çështjen kualifikim me fitoren e pastër 0-2 në Danimarkë. Kështu, trajneri i madrilenëve, Zhoze Murinjo, ka thënë se ekipi i tij nuk ka frikë nga historia e pakëndshme e viteve të fundit dhe është i bindur se do të arrijë të kalojë Lionin dhe të arrijë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. ‘Los Blancos’ kanë dështuar të kualifikohen për në tetëshen e fundit në gjashtë vitet e kaluara dhe sezonin e kaluar u eliminuan pikërisht nga Lioni, të cilin e presin sot në ‘Santiago Bernabeu’ në ndeshjen e kthimit të 1/8-tës së finales së garës europiane, pasi kanë barazuar më parë në ‘Stade de Gerland’. “Ekipi im nuk ka frikë nga historia e fundit; statistikat ekzistojnë ashtu që ne mund të dalim dhe t’u kundërvihemi atyre. Sigurisht Lioni ka kualitet, por ne duhet t’i eliminojmë ata”, ka thënë Murinjo, që shpreson ta thyejë këtë traditë negative të Realit të tij.
Por reagimet kanë ardhur edhe nga ana tjetër, ku presidenti i Olimpik Lion, Zhan Mishel Ola, beson se Zhoze Murinjo do të këshillojë Real Madridin të luajë për barazim pa gola në takimin e tyre në ‘Santiago Bernabeu’. Gjiganti madrilen ka epërsinë e golit të shënuar në udhëtim në barazimin 1-1 në ‘Stade Gerland’ dhe rezultati 0-0 u mjafton atyre për kualifikim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, për herë të parë nga viti 2004. Edicionin e kaluar të garës, Lion kishte eliminuar Real Madridin me rezultat të përgjithshëm 3-2, por Ola e di se kësaj radhe ata i pret detyrë më e vështirë. “Jam i sigurt se Murinjo do të luajë për 0-0, por ne do të mundohemi të kualifikohemi dhe nëse ia dalim, do të jetë arritje e jashtëzakonshme. Kushtet nuk janë të njëjta si vitin e kaluar dhe do të jetë edhe më vështirë, sepse kemi barazuar në shtëpi. Por nuk kemi frikë nga askush”, tha Ola për faqen zyrtare on-line të Lionit. Mirëpo, ish-sulmuesi i Lionit, Karim Benzema, i cili shënoi golin e Realit në ndeshjen e parë, beson se bashkëlojtarët e tij duhet të sulmojnë për të kërkuar kualifikimin. “Ne e dimë se sa i përket Ligës së Kampionëve, çdo ekip gjen një shkallë tjetër. Lioni ka ekip shumë solid, ata e dinë se duhet të sulmojnë, por këtë duhet ta bëjmë edhe ne”, tha Benzema për ‘AS’.
Ndërkohë, në sfidën tjetër, enigmat janë të zgjidhura. Çelsi pret vetëm shortin e lirë të së premtes për të njohur kundërshtarin e radhës. Dy golat e Nikolas Anelka janë pasaporta më e mirë për blutë e Ançelotit, që do të përpiqen të zhbëjnë në Champions ecurinë e dobët në kampionat.