Kaka: Do qëndroj tek Milani, paratë nuk janë gjithçka
Tolenovela e futbollistit brazilian të Milanit, Rikardo Kaka', përfundon. Futbollisti do të mbetet tek skuadra e Milanit.Dita e djeshme ishte mjaft e ngjeshur për yllin e futbollit botëror, por edhe për tifozët e shumtë kuqezinj, të cilët kërkonin qëndrimin e tij në Milano. Tifozët janë mbledhur përpara shtëpisë së tij gjatë gjithë pasditës së djeshme për t'i kërkuar Kakasë qëndrimin. Për këtë futbollisti i falenderon të gjithë duke deklaruar se ka bërë zgjedhjen e drejtë për të qëndruar tek Milani.
"Me këtë histori u pa qartë se sa shumë më duan këtu tek Milani, -deklaron Kaka'. Tifozët dhe shokët e mi më kanë ndihmuar që të bëj zgjedhjen e drejtë. Milani i ka refuzuar gjithmonë ofertat që kanë ardhur për mua. Edhe unë i kam kërkuar të gjithëve që më parë të bisedonin me Milanin pastaj të kalonin tek unë."Kaka' hodhi poshtë të gjithë zërat që thonin se babai i tij dëshironte largimin e tij nga Milani në drejtim të Mançester Sitit."Këto ditë kanë qarkulluar shumë zëra, shumë lajme, shumë spekulime, -deklaron Kaka'. Kanë thënë në një mënyrë shumë të keqe se babai im kërkonte largimin, ndërkohë që unë nuk kisha folur fare me të. Asnjë nga familja ime nuk më ka shtyrë që unë të bëja një largim të mundshëm. Milani është zgjedhja ime, dhe për këtë dua t'i falenderoj të gjithë që bëra këtë zgjidhje."