Mançini, po fitoi, ikën te Çelsi
Roberto Mançini luan gjithçka në 24 orët e ardhshme: titullin kampion, imazhin dhe të ardhmen. E diela do të jetë dita decizive për teknikun e Interit, që nëse arrin të shpallet kampion mund të vazhdojë karrierën në majat e futbollit italian. Në fakt, për Mançinin interesohet Çelsi i Roman Abramoviç, që ka vendosur të largojë trajnerin Avram Grant, pavarësisht rezultatit të finales së Ligës së Kampioneve më 21 maj. Italiani kryeson listën e trajnerëve të preferuar nga manjati rus, i cili prej kohësh ka përgatitur një ofertë të pasur ekonomike. Rivali kryesor i Mançinit për drejtimin e stolit të klubit londinez ishte Frenk Rajkard, emri i të cilit është lënë disi në hije, pas sezonit të dështuar me Barcelonën. Ndërsa nga ana tjetër, personaliteti i italianit është nga ata që nuk kalon pa rënë në sy, e që preferohet nga Abramoviç: padroni i Çelsit kërkon një lider brenda dhe jashtë fushës. Pa harruar që në vitet e fundit në "CV"-në e Mançinit janë shtuar shumë tituj dhe Kupa në kampionatin italian. Megjithatë, kundër Parmës në "Tardini" trajneri luan më shumë se vetëm titullin: në rast dështimi, interesimi nga Angli rrezikon të zbehet.