Kaka: Një gol për milanistët shqiptarë

- Intervista ekskluzive/Ylli brazilian flet për Shqipërinë Sekondat e fundit të takimit ishin me të vërtetë magjike, teksa 72 mijë të pranishëm në "San Siro" kishin nisur festën.
Milani arriti të siguronte finalen e Ligës së Kampioneve, pasi kishte mundur në një ndeshje magjike Mancesterin me rezultatin 3-0. Tre gola të firmosur nga Kaka, Sedorf dhe Xhilardino ishin qershia mbi tortë e një 90-minutëshi që u administrua në mënyrë të shkëlqyer nga kuqezinjtë. Vërshëllima e trefishtë e gjyqtarit belg, Frank De Bleker bëri që stadiumi të ndizet plotësisht dhe të gjithë të pranishmit të brohorisnin papushim emrat e idhujve kuqezi. Mes tifozëve të shumtë italianë të mërkurën mbrëma, në "San Siro" ishin edhe rreth 150 tifozë shqiptarë, të cmendur pas skuadrës kuqezi, të cilët kanë valëvitur vazhdimisht flamurin shqiptar. Pas takimit, të gjithë gazetarët kanë vrapuar për të zënë vend në sallën e konferencave për shtyp, që është mbushur plot për plot. Ambienti i rezervuar për njerëzit e medias gumë-zhinte, kur në derë kanë filluar të shfaqen disa prej protagonistëve të mbrëmjes që kanë zënë vend në foltore dhe kanë filluar t'i përgjigjen pyetjeve të shumta të gazetarëve. Ferguson ka hyrë i pari në sallën, ku ndodheshin rreth 200 gazetarë, shumica e të cilëve ishin anglezë. Tekniku me famë, është sulmuar menjëherë nga pyetjet thumbuese të gazetarëve britanikë. I mërzitur ai ka pranuar se Milani kishte bërë një ndeshje të madhe dhe se kishte qenë e pamundur që Mancesteri të bënte dicka. Pas tij ka ardhur radha e Ancelotit, që të shprehet për mediat pas takimit. Tekniku italian ishte në qiellin e shtatë dhe i gatshëm për t'iu përgjigjur cdo pyetjeje.
Intervista e Kakasë
Fill pasi tekniku italian i Milanit ka lënë foltoren, të gjithë e kanë kthyer kokën për nga hyrja, kur papritmas u shfaq edhe heroi i kualifikimit. Braziliani i Milanit, Kaka me thjeshtësinë e një kampioni ka përshëndetur të gjithë dhe është ulur para gazetarëve, duke filluar nga përgjigjet e pyetjeve, që duhet theksuar se ishin të shumta. Pasi ka mbaruar deklaratën, Kaka është nisur për nga dalja. Në këto momente ai ka dhënë edhe një deklaratë ekskluzive për "Panorama Sport", ku ka bërë një premtim për shqiptarët.
A keni dëgjuar për Shqipërinë dhe nëse po sa i informuar jeni për futbollin shqiptar?
Po, kam dëgjuar për Shqipërinë, duke qenë se është edhe një fqinjë e Italisë, pra është afër. Di shumë pak gjëra për futbollin shqiptar, megjithatë ajo që kam fiksuar është për Kombëtaren e Shqipërisë. Me sa kam dëgjuar, shqiptarët janë shumë të fortë në fushën e tyre dhe nuk munden kollaj, pasi luftojnë shumë.
Meqenëse thatë se keni dëgjuar për Kombëtaren e Shqipërisë, për sa i përket futbollistëve shqiptarë, cilin njihni prej tyre dhe cili është mendimi juaj për këta?
Njoh dy prej tyre, që janë gjithashtu të kombëtares. Bëhet fjalë për Igli Taren dhe Erjon Bogdanin, dy shqiptarët që luajnë në Serinë A italiane. Për Bogdanin mund të them shumë fjalë të pozitive, ai është një sulmues modern, lojtar shumë i mirë dhe i fuqishëm në repartin e sulmit. Edhe Tare është një lojtar i mirë gjithashtu.
Në Shqipëri ka shumë fansa të Milanit dhe sidomos fansa tuaj. Tashmë, ju me paraqitjet dhe me golat tuaj, jeni kthyer në një idhull të padiskutueshëm edhe për ta. Cfarë mesazhi do të jepni pikërisht për fansat tuaj në Shqipëri?
Më vjen mirë që po e dëgjoj këtë dhe jam shumë i gëzuar që unë paskam admirues të shumtë edhe në Shqipëri. Sigurisht, cdo lojtar në botë ka dëshirë që të ketë fansa kudo.
Gjithsesi, unë premtoj se në finalen e Athinës do të bëj të pamundurën për të shënuar gol dhe për të fituar Ligën e Kampioneve. Këto arritje unë do t'ia dedikoja me gjithë qejf edhe fansave të mi të shumtë në Shqipëri.
MARKO CAKA - www.Panorama.com.al