Çezena, në gjurmët e Klodian Duros

Sezoni, në të gjitha kampionatet europiane, është në fundin e tij dhe skuadrat tashmë kanë filluar që tani të mendojnë për merkaton verore. Një nga ato është dhe skuadra italiane e Serisë B, Cezena, e cila ka vënë në shënjestrën e saj edhe mesfushorin e Tiranës dhe kombëtares shqiptare, Klodian Duro.
Paraqitjet mjaft të mira të 30-vjecarit fantazist, vecanërisht në dy ndeshjet e kaluara me Slloveninë dhe Bullgarinë në Sofje, kanë ngjallur interesin e drejtuesve italianë që mendojnë të sjellin në gjirin e skuadrës, pikërish Klodian Duron.
Burime pranë futbollistit bëjnë të ditura se të pranishëm në "Vasil Levski" ka qenë dhe menaxheri i klubit italian që ka ndjekur lojën e fantazistit Duro. Pak ditë më parë, nëpërmjet një zyre menaxheriale të FIFA-s, është dërguar në klub edhe dosja me dokumentacionin e nevojshëm lidhur me futbollistin e Tiranës.
Drejtuesit po merren konkretisht me një cështje të tillë dhe më pas mund të nisin procedurat e nevojshme. Pak ditë më parë në shtypin e përditshëm sportiv është bërë publik lajmi, se e interesuar për shërbimet e mesfushorit kuqezi është dhe skuadra bullgare CSKA e Sofjes. Loja e mirë që ai zhvilloi edhe në ndeshjen me Bullgarinë e ka shtuar së tepërmi interesin për vlerat e mesfushorit.
Gazeta Sporti