Mario Gomes: Jam tifoz i Barçës
Mario Gomez pohon publikisht se është tifoz i Barcelonës. Sulmuesi synon të largohet nga Shtutgarti gjatë merkatos së verës dhe Bajerni i Mynihut shihet si kandidati kryesor për të marrë shërbimet e tij. Megjithatë, lojtari i Kombëtares gjermane i intereson edhe katalanëve të Pep Guardiolës. Kur u ngacmua rreth largimit nga e përditshmja "Spox", fillimisht Gomez tha: "Nuk dua të flas tani për merkaton". Por, kur gazetari i kujtoi se më parë lojtari ka shprehur dëshirën për të luajtur në "Kamp Nou", ai shtoi me buzëqeshje: "Le të themi që jam tifoz i Barcelonës". Që prej debutimit në vitin 2003 me Shtutgartin, Gomez ka shënuar 45 gola në 101 ndeshje, ndërsa me Gjermaninë ka gjetur rrugën e rrjetës 6 herë, në 19 takime ndërkombëtare.