Kaka në Milano: Tifozët do më presin ngrohtë
MADRID- Rikardo Kaka është rikthyer të hënën në Milano në kuadër të ndeshjes që Reali i Madridit do të luajë të martën në mbrëmje në “San Siro”. Ish-futbollisti i Milanit ka deklaruar se pret një mirëseardhje të ngrohtë nga tifozët kuqezinj, për të cilët ka qenë një idhull. “Për atë çfarë ka ndodhur në këto vite, pres një mirëseardhje të bukur, - tha Kaka në aeroportin e Malpensës. – Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne”, shtoi ai. Braziliani u shpreh edhe kundër atyre që thonë se Reali është në krizë, pas humbjeve me Milanin e Alkorkon. Reali i Madridit ndodhet në vend të dytë në Ligën Spanjolle me 22 pikë, një më pak se Barcelona kryesuese. Ndeshja mes Milanit dhe Realit të Madridit është e vlefshme për grupin C të Ligës së Kampioneve, ku ndodhen gjithashtu edhe Marseja e Zyrihu. Në takimin e zhvilluar dy javë më parë në “Santiago Bernabeu”, Milani i Leonardos i çuditi të gjithë duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë dhe duke fituar 3-2 në fund.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)