E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi do fitoren me Dinamon, në Kiev rrezik nga A-H1N1

Pasi ka arritur një shkëputje prej 7 pikësh në Serinë A, Interi kërkon të fitojë terren edhe në Ligën e Kampioneve. Zikaltërit do të udhëtojnë të mërkurën për në Kiev, ku do të përballen me Dinamon në atë që quhet ndeshja më e rëndësishme sezonale për skuadrën e Murinjos. Kampionët e Italisë kanë treguar dy fytyra të ndryshme mes Serisë A dhe Ligës së Kampioneve, ku ende nuk kanë arritur fitoren e parë për këtë sezon. Dy javë më parë Dinamo e Kievit arriti të barazonte 2-2 në “San Siro”, por këtë herë Murinjo ka në dispozicion një ekip më të plotë. Mungesa e fitores në këtë ndeshje mund t’i eleminojë përfundimisht zikaltërit nga kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube. “Fitoret e fundit na japin më shumë moral për në Champions League”, ka deklaruar traineri Hoze Murinjo. Portugezi e di mirë se është marrë nga presidenti Morati pikërisht për të triumfuar në Ligën e Kampioneve, por Interi i këtij viti regjistron vetëm 3 barazime. Për ndeshjen në Ukrainë do të mungojë Muntari, i dëmtuar në ndeshjen me Livornon, por edhe Tiago Mota që ende nuk duket i gatshëm. Murinjo shpreson të ketë në dispozicion Balotelin dhe Kristian Çivun. Ndërkohë në Kiev, kryetari i bashkisë së këtij qyteti Leonid Cernovietski ka kërkuar që ndeshja të luhet pa tifozë për shkak të gripit të derrit. Ukrainën e ka goditur një emergjencë sanitare, teksa 67 persona kanë vdekur për shkak të problemeve në rrugët e frymëmarrjes, 22 prej të cilëve me virusin A-H1N1.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›