E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka për IbrënMurinjo kërkonshkëmbimin e madh

SPANJE- Kaka për Ibrahimoviç. Është ky propozimi, që sipas gazetës spanjolle “El Mundo Deportivo”, i ka bërë Zhoze Murinjo presidentit të Realit të Madridit Florentino Perez për merkaton e verës. Portugezi dëshiron t’i shkëpusë titullin Barcelonës dhe për këtë i ka kërkuar Perezit të rikthejë në Spanjë sulmuesin suedez, me të cilin raportet mbeten ende të shkëlqyera. Ibra në fakt duket i gatshëm të shkojë në Madrid, pasi në këtë mënyrë do të ketë edhe shansin që të hakmerret ndaj Pep Guardiolës, pasi ky i fundit e largoi në verën e vitit 2010, duke e quajtur të pavlefshëm për Barcelonën. Në krahun tjetër, presidenti i Milanit Silvio Berluskoni është shprehur se do ta priste me krahëhapur Rikardo Kaka. Shkëmbimi të jep idenë e një fanta-merkatoje, por është pa më të voglin dyshim sugjestionues. Zhoze Murinjo është duke punuar për të ardhmen dhe pasi ka siguruar mesfushorin turk Nuri Shahin, është duke studiuar mënyrën për të marrë Zllatan Ibrahimoviç, pas eksperiencës që ata kanë patur së bashku tek Interi.
Shkëmbimi
Shkëmbimi mes Ibrahimoviç e Kaka do të ishte pa më të voglin dyshim një nga tratativat më të mëdha të verës, ndërsa në pamje të parë duket fitimprurës për të dy klubet. Murinjo merr një sulmues që gjithnjë e ka vlerësuar, duke e përforcuar në maksimum repartin e avancuar, ndërkohë që Milani do të rikthente në ekip një prej futbollistëve më të mirë që ka patur në dekadën e fundit. I pyetur për këtë lëvizje, trajneri kuqezi Masimiliano Alegri nuk ka pranuar të bëjë komente të shumta. “Nuk di asgjë mbi këto gjëra, - tha ai, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Kaljarin. – Mendoj se janë zërat klasikë, që dëgjohen kur mbaron kampionati. Javën tjetër do të flas me klubin për rinovimin e kontratave me futbollistët aktualë dhe nuk kam kohë të mendoj për shkëmbime të tilla”, shtoi Alegri.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›