E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, 2 mijë emigrantë rikthehen në atdhe për Pashkë

Një javë pasi ka hyrë në fuqi qarkorja e re e Ministrisë së Brendshme Greke, e cila lehtëson qarkullimin e emigrantëve pa dokumentacion të përfunduar, është shtuar fluksi i lëvizjeve në Kakavijë. Sipas burimeve zyrtare nga Stacioni Kufitar i Kakavijës, bëhet e ditur se gjatë 12 orëve të ditës së djeshme kanë hyrë në territorin shqiptar, mbi dymijë emigrantë, 131 automjete, si dhe 10 autobusë. Në bazë të të dhënave të publikuara nga krerët e Policisë Kufitare të Kakavijës prej datës 15 mars deri më 4 maj, të gjithë ata emigrantë shqiptarë që nuk kanë siguruar ende një dokument për leje qëndrimi, apo kanë aplikuar për një gjë të tillë, kanë mundësi të kalojnë kufirin pa probleme qoftë edhe me një vërtetim (blu) nga Zyra e Punës së shtetit grek. Ndërkohë, përgjegjësi i stacionit kufitar të Kakavijës, thotë se qysh dje është shtuar numri i sporteleve, si dhe janë marrë të gjitha masat për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm. Nga tre sportele që janë aktualisht në shërbim, numri i tyre do të shkojë në gjashtë. Në qoftë se numri i emigrantëve është më i madh, atëherë edhe numri i sporteleve do të shtohet. Kjo do të ndikojë në cilësinë e shërbimit dhe korrektësinë ndaj emigrantëve shqiptarë, pohon drejtuesi i Stacionit Kufitar të Kakavijës. Në territorin e Qarkut të Gjirokastrës në kufirin Shqipëri-Greqi aktualisht funksionojnë me kohë të plotë, dy vendkalime kufitare, ajo e Kakavijës që ndodhet rreth 30 km në jug të qytetit të Gjirokastrës dhe Tre Urat, që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›