Leksione mbi romanin e Kongolit, Lëkura e qenit
Në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen për Pranverën Frankofone në vendin tonë, dje në ambientet e Aleancës Franceze u zhvillua një takim me njerëz të fushës së letërsisë dhe artit, ku në qendër të tij ishte romani Lëkura e qenit i shkrimtarit Fatos Kongoli. Dy lektorët Edmond Tupe dhe regjisori francez Franc Helmer, diskutuan rreth romanit Lëkura e qenit, duke u shprehur për veçoritë e tij dhe mesazhin që ai sjell tek lexuesi.
Ndërsa po dje pasdite po në këto ambiente u zhvillua një tryezë e rrumbullakët mbi përkthimin dhe ndërkulturat me pjesëmarrjen e shkrimtarëve Diana Çuli, Fatos Kongoli dhe Edmond Tupe. Këto aktivitete organizohen nga Ambasada Franceze në kuadrin e javës së kulturës frankofone, por në ditët në vijim janë planifikuar dhe shumë aktivitete të tjera. Më datë 28 dhe 29 mars në sallën e madhe të Akademisë së Arteve në Tiranë, do të shfaqet komedia Zhorzh Dandin e Molierit. Kjo komedi vihet në skenë nga Teatri Metropolitan i Tiranës me ndihmën e komedianit dhe regjisorit francez Franc Helmer. Aktorët që luajnë janë Alert Çeloalia në rolin e Dandit, Adelina Muça në rolin e Anxhelikës, si dhe Vilson Muçaj, Marsela Lena, Klodja Hoxha dhe Ghyslan Martin. Berinda Kokona është skenografja dhe kostumografia e pjesës. Merr pjesë edhe Ansambli i Tiranës.