Qeveria miraton ndryshimet në llojet e taksave kombëtare
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria ka miratuar disa ndryshime në llojet e taksave kombëtare për ushtrim veprimtarie në fushën e lojërave të fatit për baste sportive, baste për gara në pistë, për kazino, për kazino elektronike, për lotari kombëtare, për bingo tradicionale dhe për bingo televizive.
Më konkretisht, pika 6, e Nenit 4 Niveli i taksave kombëtare, ndryshohet: Për ushtrim veprimtarie (për shoqërinë), për baste sportive 2 000 000 lekë/vit; për baste për garat në pistë 2 000 000 lekë/vit; për kazino elektronike 1 000 000 lekë/vit; për bingo tradicionale 2 000 000 lekë/vit; për bingo televizive 2 000 000 lekë/vit. Si dhe për marrjen e licencës për lotari kombëtare 300 000 000 lekë; për kazino për Tiranën 1 000 000 000 lekë ndërsa për kazino në zonat turistike 300 000 000 lekë. Gjithashtu, në Nenin 5, Agjentët e taksave, shkronja dh, ndryshohet, për taksat për ushtrim veprimtarie në fushën e lojërave të fatit për baste sportive, baste për gara në pistë, për kazino, për kazino elektronike, për lotari kombëtare, për bingo tradicionale dhe për bingo televizive, struktura përgjegjëse e lojërave të fatit në ministrinë përgjegjëse për financat. në nenin 8, Komisionet, që përfitojnë agjentët e taksave, shkronja dh, ndryshohet: Taksa për ushtrim veprimtarie në fushën e lojërave të fatit për baste sportive, baste për gara në pistë, për kazino, për kazino elektronike, për lotari kombëtare, për bingo tradicionale dhe për bingo televizive, zero për qind.