Kakavijë, 5 mijë emigrantë rikthehen në atdhe brenda 2 ditëve
Mbi 5 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë hyrë gjatë 48 orëve të fundit nëpërmjet Stacionit Kufitar të Kakavijës, për të festuar Pashkët Ortodokse pranë të afërmve të tyre. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale të Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, pohuan për gazetën se, qysh prej mbrëmjes së dy ditëve më parë, numri i emigrantëve shqiptarë që dëshirojnë të festojë Pashkët pranë të afërmeve të tyre është rritur ndjeshëm dhe gjatë ditëve të ardhshme pritet që numri i tyre të rritet akoma më shumë
.Të gjitha strukturat e policisë lokale kanë marrë një plan masash për të përballuar me sukses fluksin e emigrantëve shqiptarë që pritet të rritet në ditët në vazhdim. Në këtë stacion kufitar infrastruktura logjistike është në gatishmëri për çdo të papritur, ka pohuar drejtori i Policisë së Kufirit dhe Migracionit të Gjirokastrës, Vasil Valera. Në Prefekturën e Qarkut të Gjirokastrës në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika vendkalime kufitare, ajo e Kakavijës, që ndodhet rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe "Tre Urat", që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.