E Diel, 1 Nëntor 2026

Jo përparim nëpërmjet denigrimit të tjetrit dhe shfrytëzimit të punës së tij

Nga Ivana TOMÇO
Shumë kritika janë formuluar dhe vazhdojnë të formulohen në drejtim të shoqërisë së sotme. Jeta e njeriut, në aspektet e saj të ndryshëm, shpesh bëhet objekt diskutimi. Në aspektin e punës, flitet për monotoni dhe shpërqendrim. Në marrëdhëniet shoqërore, zbulojmë anonimatin, ftohtësinë, vetminë në turmë. Organizimi shoqëror i komplikuar, e ka bërë individin një qenie egoiste dhe shpërfillëse. Por ajo që më tepër se gjithçka, është bërë dhe vazhdon të bëhet objekt kritikash të vazhdueshme, është ndërgjegja ose bota e brendshme e njeriut. Ky i fundit duket sikur ka humbur ndjeshmërinë, shpirtin e tij, për shkak të preokupimeve të vazhdueshme në drejtim të efektshmërisë ekonomike dhe rritjes së mirëqenies materiale, të cilat janë bërë qëllimi madhor i jetës. Tek mendimi i njeriut të zakonshëm, ndeshim konformizëm, mungesë reagimi dhe shpërfillje ndaj veprimtarive shpirtërore dhe vlerave fetare. Dhe lista e këtyre  mungesave mund të zgjatej pafundësisht... Çdo shoqëri apo epokë, ka forcat, pasuritë, problemet e saj. Dhe me sa duket, problemet e shoqërisë sonë, rrjedhin pikërisht nga këto forca dhe pasuri. Puna në grup solli një rritje të pakrahasueshme të produktivitetit. Automatizimi, i cili mori përsipër ato etapa monotone dhe të bezdisshme të punës dhe informatizimi që iu shtua këtij automatizimi, favorizuan për individët, marrëdhënie të kalkuluara dhe shkurajuan thirrjet dhe dëshirat e zemrës. Pavarësia ekonomike dhe morale e njeriut dhe çlirimi i tij nga varësitë dhe presionet, tipike për shoqërinë tradicionale, solli si rezultat izolimin e tij. Mundësitë e pafundme që i ofronte bota, e larguan njeriun nga kërkesat e tij të natyrshme dhe ndjesia e reales. Në disa raste, raporti i zhdrejtë midis mundësive dhe aftësive ushqeu një lloj qëndrimi negativ ndaj jetës dhe asaj që ajo premton. Karakteri paradoksal i kësaj situate manifestohet sidomos tek raporti midis bollëkut ekonomik dhe defiçencave shpirtërore. Na është bërë tashmë e zakonshme të flasim e të diskutojmë për probleme të tilla, dhe po aq e zakonshme tua hedhim fajin zhvillimeve teknologjike. Gjithsesi, disa aspekte të gjendjes aktuale të njeriut, rrjedhin natyrisht nga mënyra e re e prodhimit që kanë sjellë teknologjitë e reja, por edhe nga raportet e reja shoqërore të përcaktuara nga marrëdhëniet ekonomike dhe niveli i jetesës që ka sjellë rritja e madhe e produktivitetit. Dhe kjo është e njëjtë në të gjitha llojet e sistemeve. Të gjitha aspektet e jetës vihen në funksion të nënshtrimit të qenies njerëzore ndaj kërkesave dhe synimeve të prodhimit. Të gjitha forcat, energjitë dhe aftësitë intelektuale i shërbejnë një aparati që dominon dhe që është indiferent ndaj çdo zhvillimi kulturor, moral dhe shpirtëror të njeriut. Gjithsesi, kërkesat e zhvillimeve të sotme teknologjike dhe mënyrës së re të jetesës që ato kërkojnë, nuk mund të konsiderohen si shkaqet reale të problemeve të përmendura, shkaqe që nuk mund të evitohen apo të korrigjohen sepse ato janë vetë kushtet e progresit, që ne kaq shumë e ëndërrojmë!  Pikërisht falë këtyre zhvillimeve teknologjike dhe kërkesave që ato kanë, njeriu ka arritur në këtë stad zhvillimi ekonomik dhe kulturor, të domosdoshëm për përparimin e tij real. Ne i përmendim këto gjera, thjesht për të njohur karakterin paradoksal të pasojave. Shpjegimi i këtyre fenomeneve duhet kërkuar gjetkë... Në sistemin kapitalist janë interesat dhe idetë e atyre që disponojnë kapitalet, që e vënë produktivitetin në shërbim të krijimit të nevojave të tyre. Rendja pas përfitimit dhe fuqizimi ekonomik, sjellin rritjen e nivelit të jetesës,  i cili jo gjithnjë kontribuon në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe aq më pak në zhvillimin e botës së brendshme të individëve. Si përfundim, zhvillimi teknologjik nuk kontribuon as për të çliruar individin nga kërkesat e tij të shumëllojshme, as për të lejuar zhvillimin e tij të brendshëm, sepse ky pushtet është në shërbim të qëllimeve vetjake të individit. Pra, parë nga ky këndvështrim, kapitalizmi është përgjegjës për anët negative të zhvillimit teknologjik. Siç e shohim, përparimi nuk mund të kryhet ndryshe, përveçse me anë të padrejtësive shoqërore, shfrytëzimit të punës së tjetrit, shpenzimeve të mëdha e të kota,  dhe duke dëmtuar dinjitetin e tjetrit. Problemet e shoqërisë së sotme, qëndrojnë më tepër në fushën e ndërgjegjes, sesa të kushteve të jetesës. Nga ana tjetër, situata e re  në të cilën ndodhen individët, favorizon pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjen dhe përcaktimin e prioriteteve që kërkon shoqëria. Sistemi hapet ndaj një pjesëmarrjeje të tillë, individi çlirohet nga injoranca, frika, shtypja dhe shfrytëzimi. Partitë politike, organizmat e ndryshëm mbrojtës, rrymat e ndryshme kulturore, aktualizojnë zgjedhjet e tij. Por situata e re, rrit njëkohësisht edhe përgjegjësitë e tij. Besimet e ndryshme, opinioni publik, normat morale, stili i jetesës, moda, të gjitha këto realitete marrin formën e një dinamike që ka logjikën e vet dhe historinë e vet, por ato nuk janë të huaja për individin. Ato prodhohen dhe mbështeten nga një dialektikë sociale. Raporti i individëve me këto realitete ndryshon sipas kushteve shoqërore dhe ekonomike të epokës, sipas sistemeve politike dhe kulturave. Pjesëmarrja e tyre në to, bëhet sipas lirisë dhe nivelit të tyre kulturor. Ajo mund të jetë aktive ose pasive. Natyrisht, roli i individit në këtë dinamikë kolektive, është i kufizuar, por kjo dinamikë pasqyron tendencën e përgjithshme të komunitetit. Nëse ka zëra që sot nuk dëgjohen, kjo ndodh për shkak të karakterit të veçantë të tyre në raport me shoqërinë. Problemi i vërtetë nuk është ai midis shoqërisë dhe një force të jashtme, por problemi midis grupeve apo individëve brenda komunitetit shoqëror. Shoqëria jonë komplekse, madhështore dhe e plotfuqishme, ka nevojë për zhvillimin e kërkesave shpirtërore. Njeriu i sotëm ka nevojë të tejkalojë lojën e interesave dhe qëndrimin thjesht si reklamues dhe konsumator. Ai ka nevojë të zhvillojë dhe të përsosë botën e tij të brendshme, në mënyrë që të gjejë lumturinë e vërtetë dhe arsyen e vërtetë për të jetuar, atë që i përshtatet kërkesave dhe dëshirave të një shpirti të shëndoshë. Individi merr rëndësinë e tij të vërtetë kur kushtet e tij të jetesës, statusi i tij shoqëror, liria e tij, favorizojnë pjesëmarrjen pozitive në problemet e vendit.  Që këtej, rrjedh rëndësia e madhe që ka zhvillimi kulturor dhe shpirtëror i individit, me qëllim që ta shndërrojmë botën e fuqisë teknologjike dhe mirëqenies ekonomike, në një botë të mundësive reale dhe të madhështisë së shpirtit të njeriut.

Last Updated on Tuesday, 14 April 2009 23:12

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›