E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojanët përsëri në Teatrin Kombëtar

Në datat 17 dhe 18 prill  në Teatrin Kombëtar në Tiranë rikthehet në skenë Trojanët, një nga kryeveprat më të famshme të antikitetit grek e shkruar nga Euripidi. Kjo tragjedi e vënë në skenë nga regjisori grek Vangjelis Theudoropulos përcjell tek spektatorët legjendën e luftës së Trojës. Tragjedia merr fill me fundin e Luftës së Trojës. Anijet e fituesve grekë janë gati për tu kthyer në Greqi. Trojanet janë të mbledhura si robina lufte në port. Presin shortin që do ti ndajë tek komandantët grekë. Akoma dhe në këto çaste të fundit ato përjetojnë barbarizmin e sunduesve, të dalë fitimtarë nga lufta. Personazhi i Hekubës është personifikimi i tragjedisë trojane. Bija e saj, Kasandra i dorëzohet si skllave Agamemnonit dhe parashikon fatkeqësitë që do e presin heroin në atdheun e tij. Andromaka jeton tragjedinë e humbjes së të birit Astianaksit, që grekët e hedhin nga muret e Trojës. Helena ka një brengë edhe më të rëndë, ajo rezulton fajtorja dhe përgjegjësja e rënies së Trojës dhe shkatërrimit të gjithçkaje. Tragjedia mbyllet me djegien e Trojës. Në rolet kryesore luajnë aktoret; Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, Marjeta Larja, Ema Andrea, Luiza Xhuvani, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›