Kakavijë dhe Kapshticë, normalizohet situata e radhëve
KAKAVIJE- Pas Kapshticës normalizohet situata e radhëve të gjatë edhe në Kakavijë. Gjatë të gjithë ditës së djeshmenëpikën kufitare jugore me Greqinë radhët e shqiptarëve dhe automjeteve që prisnin të hynin në tokën greke kanë qenë mjaft të gjata. Shifrat e drejtorisë së policisë kufitare të Kakavijës, të Gjirokastrës flasin për 13 mijë shtetas që kanë kaluar kufirin me 2800 automjete vetëm brenda 24 orëve të fundit. Ndërkohë, paraditen e djeshme deri pas mesditës, fluksi i emigrantëve ka bërë që radha të arrijë në 1 kilometër. Pala shqiptare vazhdon të punojë me 8 sportele, ndërsa pala greke gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme ka punuar me 6 sportele. Policia kufitare shpjegon se radhët me fluksin e madh të emigrantëve krijohen pasi zgjedhin pikën doganore të Kakavijës për t’u kthyer në Greqi. Policia shqiptare vazhdon të sugjerojë emigrantët të zgjedhin edhe pikën kufitare “Tre Urat” për të kaluar në shtetin fqinj.
Kapshticë
Ndërkohë nëKapshticë situata është e normalizuar. Ndryshe nga e shtuna ku fluksi i emigrantëve ka qenë tepër i lartë, paraditja e së dielës ka qenë e qetë. Rreth 50 makina kanë pritur në radhë të kalojnë kufirin për të hyrë në tokën greke, ndërsa policia kufitare e shtetit fqinj po punon me ritme të larta për të kryer sa më shpejt procedurat hyrëse të emigrantëve. Pas një takimi që u zhvillua dje pasdite mes autoriteteve shqiptare dhe atyre helene duket se gjërat janë normalizuar. Në 24 orët e fundit nga kjo pikë kufitare kanë dalë 4200 emigrantë shqiptarë me 900 automjete. Autoritetet shqiptare mendojnë se në orët e mëvonshme fluksi i emigrantëve që synojnë të kthehen në Greqi do të rritet.