E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa historinë e dashurisë nuk do ta bëja kurrë filmin

 

Regjisori Fatmir Koçi flet për herë të parë pas premierës së filmit “Koha e kometës”

Durrës - Me premierën e filmit “Koha e Kometës” u hap të shtunën në mbrëmje në qytetin e Durrësit “International Sumerfest Film”. Tapeti i kuq, dy replika gladiatorësh me portret memeci dhe fishekzjarrët në qiellin mbi Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, ishin shenjat e para që tregonin përpjekje për një organizim serioz të ngjarjes kinematografike, edhe pse merrnin pjesë fare pak artistë shqiptarë, me përjashtim të atyre që interpretojnë në filmat në konkurrim.

Filmi shqiptaro-gjerman i regjisorit Fatmir Koçi, i bazuar në romanin e shkurtër të Ismail Kadaresë “Viti i mbrapshtë”, pas 103 minuta projeksion nuk ka marrë duartrokitjet që pritej. Subjekti luhatej sa në dimensionin komik në atë dramatik, sa në linjën epike të historisë në atë romantike të dashurisë Anjeza (Masiela Lusha) - Shestan Verdha (Blerim Destani). “Pa historinë e dashurisë unë nuk do ta bëja këtë film kurrë”, tha dje në konferencën për shtyp regjisori Koçi përkrah të cilit ishin të pranishëm aktorët protagonistë Destani dhe Çun Lajçi i cili ka shkëlqyer në rolin e Kuz Babait. Por linja e dashurisë nuk ishte e strukturuar qartë, sidomos personazhi i Anjezës ulej dhe ngrihej mes kontrasteve të dukshme, nga një vajzë e drojtur katundi në një femër që matet me burra. Loja e Lushajt nuk ishte në nivelin që pritej. Me gjuhën e aktores, me të folurën e saj në një shqipe të pamësuar mirë, (Lusha është larguar fare e vogël nga Shqipëria) është bërë një eksperiment i padobishëm për raporte në film, gjë që s’mund të thuhet për shqipen e Princ Vidit (Thomas Heinze).

Për “Kohën e kometës” është folur gjatë në shtyp më shumë si një film që ekranizon një vepër mjaft të vështirë të Kadaresë. Dihet që veprat e shkrimtarit shqiptar që nuk notojnë aspak në ujëra të realizmit, sa herë që janë sjellë në kinema nuk kanë lënë të kënaqur askënd. Edhe me “Kohën e kometës” fatkeqësisht vërtetohet ajo që në teori thuhet për raportet e një vepre letrare me filmin që buron prej asaj: një vepër e lartë, një roman i shkëlqyer nuk lë shumë vend për të tjera interpretime qoftë edhe nëpërmjet mjeteve të ndryshme nga letërsia.

Pyetja nëse ky është një film i menduar më shumë për një publik të huaj se sa shqiptar gjeti nga regjisori përgjigjen: “Të njëjtën pyetje më kanë bërë edhe “Tirana, viti zero”, “Nekrologji”. Mendoj se “Koha e kometës” është një film që i flet publikut kudo që të jetë”.

Në konferencën për shtyp aktori Çun Lajçi është shprehur i kënaqur për konceptimin regjisorial të figurës së Kus Babajt, nga ana tjetër ka mbetur pak i zhgënjyer për publikun e pakët të festivalit.

Po dje, producenti maqedonas Allan Mixhiç do të shfaqet premierë në Prishtinë më 2 shtator dhe në Tetovë më 3 shtator. Më pas shfaqet për publikun e gjerë.

Dita e tretë e Festivalit, vazhdon sot në orën 11.00 me “Gjeneral Gramafoni” fitues i festivalit të tretë, më 1979, në kuadrin e koleksionit të artë që festivali ka krijuar me filmat fitues në vite të festivaleve shqiptare. Në orën 12.45, po në kinemanë “Aleksandër Moisiu” shfaqet “Eyes ëide shut” i legjendës së kinemasë botërore, Stanley Kubrick. Festivali veror i Durrësit i bën homazh regjisorit amerikan dhe për këtë ka ftuar producentin e disa filmave të tij, Jan Harlan, autor i “Stanley Kubrick: Jeta në film” i cili shfaqet sot më 15.30 në prani të Harlan-it.

Në orën 20.00 shfaqet “Dënim me vdekje”, një prodhim italo-francez me regji të Davide Barletit. Në orën 22.00 vijon “Mao Ce Duni” i Besnik Bishës.

Paralelisht me dy filmat e mbrëmjes, projektohen në amfiteatrin e Durrësit “Installation of love” i Maja Weiss dhe më pas “Korrigjimi” filmi që përfaqëson Greqinë i regjisorit Thanos Anastopoulos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›