E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakavijë, lënë vendin 60 mijë emigrantë

Rreth 60 mijë emigrantë shqiptarë të cilët kanë kaluar pushimet verore ne vendlindje janë rikthyer gjatë javëve të fundit në vendet e tyre të punës në shtetin fqinjë, Greqi, nëpërmjet doganës së Kakavijës. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër në doganën e Kakavijës vazhdon të jetë i konsiderueshëm fluksi i lëvizjes së emigrantëve në drejtim të Greqisë pas përfundimit të pushimeve verore në vendlindje. Fundjava në doganën e Kakavijës ka shënuar sërish një fluks të konsiderueshëm emigrantësh.

Megjithëse qeveria greke shtyu afatin e kthimit të emigrantëve nga 30 shtatori në 15 tetor 2008 sërish gjatë ditës së diel me dhjetëra automjete dhe emigrantë kanë nxituar në drejtim të Kakavijës shqiptare për të kryer procedurat e përpunimit të dokumenteve dhe për të vazhduar më pas udhëtimin e tyre në drejtim të Greqisë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, gjatë orëve të mëngjesit dhe mesditës të së dielës kishin lënë pas traun e doganës rreth 4 mijë emigrantë. Gjatë fundjavës dogana shqiptare ka punuar me 6 sportele për kontrollin e dokumenteve ndërsa ajo greke me 4 të tillë. Falë angazhimit të të dyja stafeve, policisë shqiptare dhe asaj greke, emigrantët nuk janë përballur me radhë të gjata pritje gjatë rrugës së kthimit në Greqi. Policia shqiptare dhe ajo greke vazhdojnë t’iu sugjerojnë emigrantëve që për të shmangur radhët e pritjes në Kakavijë, gjatë rrugës së kthimit për në Greqi të përdorin edhe dogana të tjera kufitare si ajo e Tri Urave etj. Nëpërmjet doganës së Kakavijës kanë udhëtuar për pushimet verore në vendlindje rreth 160 mijë emigrantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›