Kakavijë, pengohet lëvizja e autobuzëve
Mbi 70 autobusë grekë kanë bllokuar mëngjesin e sotëm kalimin e autobuzëve drejt Greqisë në Kakavijë. Kjo si pasojë e një proteste të autobuzëve grekë pas vendimit të një dite më parë të Gjykatës Administrative të Athinës e cila lejoi hyrjen e 22 kompanive shqiptare të operojnë në territorin grek në linjat e autobusëve.
Mësohet se është bllokuar qarkullimi i autobusëve në hyrje edhe në dalje të pikës së kalimit kufitar ndërsa qarkullon vetëm korsia për automjetet e vogla edhe këmbësorët.
Një ditë më parë Gjykata Administrative e Athinës ka shpallur të jashtëligjshëm ndalimin e aktivitetit të 22 linjave të transportit ndërkombëtar që lidhin Greqinë me Shqipërinë.
Ndërkohë, ditën e djeshme reagoi edhe dega e Partisë Socialiste të Shqipërisë në Greqi e cila e konsideron si tepër shqetësuese situatën e krijuar nga bllokimi i licencave të 22 kompanive të transportit të udhëtarëve mes Greqisë dhe Shqipërisë. Sipas degës së PS-së në Greqi, autoritetet greke kanë ngritur barriera artificiale për kompanitë e transportit shqiptare, duke i detyruar ato që të kenë partnerë grekë, teksa këta të fundit e kanë të pamundur të përmbushin detyrimet që imponon legjislacioni.
“Heqja e liçencës dhe bllokimi i punës për kompanitë shqiptare është një akt me pasoja tepër të rënda si për transportin e mijëra emigrantëve shqiptarë që lëvizin mes dy vendeve, ashtu si dhe për qindra të punësuar në Greqi e Shqipëri që mbajnë familjet e tyre duke punuar në sektorin e transportit të udhëtarëve” thuhet në deklaratën e PS-së në Greqi.
Gjithashtu PS-ja i ka bërë thirrje edhe qeverisë Shqiptare që të ndërhyjë menjëherë në mënyrë diplomatike për të mbrojtur interesat e kompanive dhe mijëra emigrantëve shqiptarë që mbështeten tek ky sektor për mbijetesë ekonomike dhe për transport.