E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakavijë, sekuestro 22 tonëve kafe në pranga 2 persona

GJIROKASTER-Rreth 22 ton kafe dhe 2 ton mollë kontrabandë janë sekuestruar sot nga një kamion në doganën e Kakavijës, ndërkohë që policia ka vënë në pranga 2 persona.

Prokuroria e rrethit të Gjirokastrës bëri të ditur sot në një njoftim për shtyp se nga informacionet e marra nga Drejtoria e Doganave të Gjirokastrës të dielën, rreth orës 18.45, në pikën e hyrjes për në territorin shqiptar në Degën e Dodanës Kakavijë nga ana e policisë kufitare është rregjistruar mjeti tip kamion me targa TP 2673 B me drejtues mjeti shtetasin Maringlen Shehaj. Pas rregjistrimit, mjeti i cili dyshohej të importonte mallra të akcizës, nuk ishte futur në rrugën që të conte në parkimin e doganës, por ka vazhduar rrugën në pjesën ku kalojnë mjetet të cilat nuk i nënshtrohen procedurave doganore, si pasojë nuk ka kryer në doganë asnjë veprim që lidhet me peshimin, kontrollin fizik, rregjistrimin në rregjistrin e parkimit si edhe procedurën përmbyllëse për të dalë nga parkimi. Madje drejtuesi i mjetit më pas ka tentuar të lëvizë në drejtim të shtetit grek. Gjatë kësaj lëvizjeje në të kundërtën e drejtimit normal për të dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë mjeti nuk ka ndaluar, pavarësisht se punonjësi i policisë kufitare i ka kërkuar të ndalojë. Nga veprimet e para hetimore rezulton se mjeti ka patur të ngarkuar 22 ton kafe dhe 2 ton mollë.

Në vijim të veprimeve hetimore është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasëve Bebi Qibini, 44 vjec dhe Mariglen Shehaj 29 vjec, lindur në Sarandë dhe banues në Delvinë. Gjithashtu po procedohet me kërkesa në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për tre punonjës të degës doganore të dyshuar si të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Veprimet hetimore për këtë procedim penal vazhdojnë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›