E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakofonia e ndërkombëtarëve

Duken shumë të paqartë zyrtarët ndërkombëtarë teksa flasin për procesin zgjedhor në Shqipëri, për arritjen e standardeve të procesit të 28 qershorit, për gotën gjysmë plot e gjysmë bosh, apo edhe për çështje të trafikut, korrupsionit, kontrabandës, krimit të organizuar, e deri tek pasaportat biometrike, vizat, liberalizimi, hapja e kufijve....
Por çudia e madhe ndodhi dy ditë më parë, kur dy zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, u përplasën aq ashpër mes tyre, sa u bë e dukshme edhe në media. Gazetat e djeshme në Shqipëri u ndanë në dy pjesë: një palë, titull kryesor kishin alarmin e ambasadorit të OSBE, Bosh, që apelonte për “kthimin e opozitës në kuvend”, e të tjera në aperturën e tyre kishin lajmin e komisionerit për zgjerimin Olli Rehn që i bënte thirrje qeverisë “për të zgjidhur krizën politike”.
Parë në kontekstin aktual të ngjarjeve, duket se diplomatët janë të paqartë. Ndoshta duhet të mendojmë se ca prej tyre janë bërë shumë “berishistë”, dhe për pjesën tjetër të mendojmë se janë bërë shumë “ramistë”. Por siç thotë populli, ynë, zgjidhjet i japin me “brekë nëpër këmbë”.
Ndoshta krahasimi i bërë është shumë “radikal” e “fyes” për përfaqësuesit ndërkombëtarë, por në fund të fundit, duhet ta themi haptazi, që politika jonë e brendshme, më shumë influencohet nga këta zëra të paqartë diplomatësh, zëra që më shumë enden korridoreve të Vjenës, Brukselit e Uashingtonit, sesa nga realiteti.
Prej vitesh e dëgjojmë në raportet ndërkombëtare këtë historinë e gotës gjysmë, plot e gjysmë bosh. Por duhet ta kuptojnë një herë e mirë dhe ta ndajnë hesapin: ose e shohin gotën gjysmë plot, ose e shohin gjysmë bosh. Për një vend anëtar të NATO-s, siç është Shqipëria, nuk ka një këshillë, apo ultimatum, se dy gjysmat shkojnë: pra dhe ajo e mbushur, dhe ajo e zbrazët.
Prej vitesh dëgjojmë raport pas raporti, qoftë në raportimet e Vjenës, qoftë në ato të Brukselit, se Shqipëria ende vuan nga administrata e dobët dhe e politizuar, se krimi i organizuar nuk është luftuar, se problemet me korrupsionin janë të mëdha....por Shqipëria ka bërë përparime. Raportet gjysmake, që shkruhen po aq nga burokratë zyrash në Tiranë që sa më shumë nxijnë realitetin, aq më shumë u shtohet rroga, janë të panevojshëm në realitetin shqiptar.
Zotërinjtë e huaj, duhet ta kuptojnë se show me arrestimet për korrupsion në Shqipëri janë vetëm raste sporadike, që shmangin atë, korrupsionin e madh, që Withers dje e artikuloi qartë: merruni me peshqit e mëdhenj.
E në rastin e zgjedhjeve dhe legjitimitetin e tyre, këta ndërkombëtarë na e shtojnë paqartësinë. Duhet të besojmë Robert Bosh e Sali Berishën, apo duhet të besojmë Olli Rehn e Edi Ramën? Sepse na u përça Vjena e Brukseli dje me deklarata. Na hutoi. Duhet të hyjë Rama në Kuvend pa hapur kutitë, siç deklaroi OSBE, apo Berisha duhet të zgjidhë krizën politike në Shqipëri, (pra të hapë kutitë) siç deklaroi Komisioni Evropian, (ai organi i famshëm që na mundëson liberalizimin e vizave).
Në fakt, askush prej tyre nuk kanë në dorë zgjidhjen e krizës së rëndë politike në vend. Apelimet e tyre për politikanët shqiptarë, nga një vesh hyjnë e nga tjetri dalin. Dhe si kanë ardhur punët, si zhvillohen ngjarjet, e si bëhen deklaratat, mirë e bëjnë. Sepse ka edhe ndonjë diplomat në Tiranë që thotë se “nuk e njoh mirë ligjin”, por dhe ai, ka mendimin e vet për çdo çështje. Për të tilla analiza, kemi vetë gojë për të folur, e penë për të shkruar. Problemi është te arbitrimi i qartë dhe me rregulla, kur vjen fjala për zgjidhjen e krizave.
Por pas atij raportimit të ambasadorit Bosh, ndoshta marrëdhëniet e OSBE me Tiranën zyrtare do të jenë më solide, duke e ditur se rreth një vit më parë, ish ministri Basha kërkoi madje edhe reduktim të prezencës së OSBE në Shqipëri. Ndërsa pas deklaratës së Olli Rehn, ku i dihet se ç’mund të na ndodhë me atë dreq procesi të liberalizimit të vizave që e presim me ankth, pavarësisht se jemi vend anëtar i NATO-s.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›