Lodhje demokratike
Artan Fuga
Diskutohet gjithnjë e më pak për politikë në rrethet shqiptare të sotme.
Nuk e kam fjalën për mjediset ku ka politikanë, apo atje ku politikanët kalojnë rastësisht, apo qëndrojnë, shkëmbejnë një bisedë mes tyre, apo me miq e të njohur. Nuk është fjala as për studiot e televizioneve ku që prej muajve të pranverës dhe të verës së kaluar debatet politike nuk kishin pasur të sosur.
Duket sikur sa më shumë diskutohet për politikën e ditës në mediat televizive apo në shtypin e shkruar, aq më pak rrihen çështje të politikës në mjediset e zakonshme familjare, miqësore apo profesionale. Intensiteti i bisedave politike në media dhe i rrahjes së tematikave politike në publikun e gjerë qëndrojnë me njëri-tjetrin në përpjesëtim të zhdrejtë.
Sa më shumë axhendat e televizioneve politizohen, aq më pak janë të ndjeshëm qytetarët ndaj vlerave dhe marrëdhënieve politike.
Ndofta është diçka e natyrshme. Kultura, mediat, jo rrallë, komunikimi publik në përgjithësi, në shumë faza dhe kontekste shoqërore, reflektojnë në njëfarë mënyre kokëposhtë, realitetin shoqëror. Frederik Niçe e ka shprehur shumë bukur këtë në një vepër të tij kushtuar lindjes së tragjedisë antike, kur thotë pak a shumë se në skenën e teatrit grek, sidomos kur bëhej fjalë për tragjeditë antike, dialogët dhe deklamacionet e aktorëve apo këngët dhe vallet e korit të satirëve, përçohej një përmbajtje që ishte e kundërta e jetës reale. Kultura dhe jeta reale zakonisht plotësojnë njëra-tjetrën si dy përfytyrime komplementare, të vendosura në mes tyre si dy pjesë të një letre bixhozi. Njëra me kokë lart dhe tjetra me kokë poshtë. Qytetari spektator gjente në skenë atë që nuk bënte në dot në jetën reale, kurse në jetën reale bënte atë që nuk e shihte në skenë, vazhdonte jetën e tij të zakonshme. Në rastin e politikës dhe të tematikës politike në debatin e sotëm publik, zhurma politike e ekraneve po shoqërohet gjithnjë e më shumë me heshtjen politike të elektoratit, të publikut, të qytetarit, të shoqërisë civile. Qytetari edhe tani sheh në televizion atë që nuk lidhet me jetën e tij të përditshme, politikën, dhe sillet në jetën e tij të përditshme larg vorbullave të politikës së ditës.
Ku janë faktet që i kërkon me çdo kusht një shkrim në gazetë? Po ja, a nuk morën pjesë 50% e zgjedhësve në zgjedhjet e fundit parlamentare në vendin tonë? Dikush mund të kundërshtojë dhe të thotë: Po kjo nuk është karakteristikë vetëm e vendit tonë, por shpesh ngjet kështu edhe në vendet evropiane me demokraci më të pjekur dhe të zhvilluar. Pa dyshim që do të kishte të drejtë në kundërshtimin e tij. Por, nuk ka lidhje me këtë që po themi. Atje ndonjëherë ka ndodhur që njerëzit çinteresohen për politikën, sepse nuk ka ndodhur asgjë shqetësuese. Borgjezi i mesëm jeton një jetë që shpesh është pa ngjarje. E di se sa janë interesat e veta në bankë, është fjala për paratë, e di sa e ka pensionin që i mjafton, i del dhe i tepron, e di se sa është i mbrojtur nga ana sociale dhe prej këtej i vjen një lloj apatie. Nuk është rasti ynë që jemi një shoqëri me shumë probleme dhe halle që i ka mbi kurriz qytetari. Do të pritej në këto kushte që ky i fundit ta shtonte interesimin e tij për politikën dhe jo ta pakësonte. Por, ja që nuk po ndodh kështu.
Fakt tjetër, mund të përmendim se sa aktivizohen punonjësit nëpër sindikata dhe se sa pak ndihen sindikatat tona. Sa për shoqërinë civile, ajo krejt gabimisht, është barazuar vetëm me organizatat e regjistruara si organizata jofitimprurëse, ndërkaq që këto të fundit, mirë a keq, nuk jam unë që e di, janë më shumë agjenci që funksionojnë me profesionistë dhe me fonde financiare projektesh teknike. Opinioni i gjerë shoqëror është tërësisht i paorganizuar dhe secili individ sheh egoistikisht punën e tij. Në fakt, kjo vjen dhe për shkak se njerëzit në një masë të madhe jetojnë në vende, lagje qytetesh e fshatrash, ku janë zhvendosur kohët e fundit, e njohin pak njëri-tjetrin, nuk kanë histori të përbashkët dhe për rrjedhojë janë të mbyllur në shtëpitë e tyre, në apartamentet e tyre, në një mjedis pa solidaritet.
Disa mitingje që organizoi opozita në periudhat parazgjedhore, nuk mund të thuash se nuk kishin pjesëmarrje. Edhe në ato që organizonte koalicioni i partive në pushtet po ashtu. Sigurisht, bërthama e aktivistëve në mitingje vinte me autobusë duke shëtitur nga njëri qytet te tjetri. Por, përsëri kishte njerëz që zhvendoseshin për të dëgjuar liderët politikë që flisnin nga tribuna. Nuk është pa ndikim edhe fakti se në disa qytete të vogla apo qendra administrative rurale, ardhja e politikanëve nga Tirana përbënte edhe një lloj spektakli, i cili është premtues për spektatorin në kushtet kur jeta teatrore në periferi, por se mos vetëm në periferi, është shumë, shumë e paqenë.
Po të shohësh sot, njerëzit e kanë me shumë vështirësi për të dalë në sheshet publike. Ndofta, ata që gjallëronin mitingjet e djeshme, sot nuk kanë më asnjë interes, shpresë apo projekt që mund ta realizojnë në këtë mënyrë, pra nëpërmjet mitingjeve. Ata, nga opozita, që prisnin të merrnin ndonjë vend pune në administratë apo gjetiu në rast ndryshimi pushtetesh, tani janë të zhgënjyer. Në njëfarë mënyre ambicia e tyre për të zgjidhur problemet e tyre ekonomike duke kërcyer në ndonjë vend pune nëpërmjet politikës, brohoritjeve, ngjitjes së afisheve nëpër mure, tifozllëkut të sëmurë apo për të ulur ndonjë taksë, çelur a mbajtur hapur ndonjë kioskë pa leje, përfituar ndonjë tender, është disi e venitur. Por, edhe ata që merrnin pjesë në mitingjet politike të partive në pushtet e që ishin aktivë sepse dëshironin të mbronin postet administrative apo privilegje të ndryshme ekonomike dhe financiare, edhe këta të fundit, pra, nuk e bëjnë më qejfin qeder për t’u mobilizuar në politikë. Pas katër vitesh tani..., duket sikur thonë me vete, ndërsa nxitojnë për të mbaruar me ngut ndonjë punë të lënë përgjysmë.
Duket pra sikur politika është bërë profesion i politikanëve të paguar me rrogë, i zanatlinjve të politikës.
Sovrani hesht, sepse është i zënë me punë të tjera.
Disa çështje të politikës në fakt janë bërë kaq çështje ekspertize, saqë duhet të bësh ndonjë universitet të dytë a të tretë për t’i kuptuar. Qenan K. që pasditeve rri te klubi i fshatit, e ka të vështirë të kuptojë disa terma kaq të beftë, kaq të tmerrshëm në ndërlikueshmërinë e tyre, kaq të ndërlikuar në kuptimësinë që kanë, sa që nuk i hyn fare debatit. “Gji historik”, “ujëra territoriale”, “shelf”, “arqipelag” etj., që dëgjohen në media, i duken krejt të largëta dhe të pakuptueshme. Është e vërtetë që dikush del e shpjegon, por ai nuk kupton se mediat nuk janë shkollë nate, as enciklopedi, as fjalor terminologjik detar.
Qenan K. tha se për të marrë pjesë në këtë debat për çështjen e vijës kufitare, paraprakisht i duhet të regjistrohet dhe të bëjë një diplomim në të drejtën detare në Universitetin e Vlorës.
“Nuk ia kam ngenë”, – i tha dikujt që e shtynte të merrte pjesë në debat.
“A kemi hyrë në NATO?”, – e pyeti tjetrin si i ndërkryer.
“NATO do të na mbrojë nëse ndonjë shtet fqinj apo kushdo tjetër do të na cenonte sovranitetin”.
Politika po bëhet gjithnjë e më tepër teknike dhe mediat e fragmentarizojnë kaq shumë problemin, sa është e vështirë të merret vesh se ku fillon dhe ku mbaron filli i arsyetimeve politike.
Pasi pësoi mbi kurriz nja tre a katër muaj fushatë zgjedhore, pasi duroi edhe nja dy muaj për të parë më në fund qeverinë e re, elektoratit masiv i duket pak si e tepërt që përsëri të përballojë një fushatë paszgjedhore për mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet e kaluara.
Kjo është fushatë mbi fushatë.
Fushatë paszgjedhore.
Axhenda e shqiptarit të sotëm është e mbushur me hallet e jetës së përditshme. I duhet të nxjerrë lekët për të arsimuar fëmijët në shkollë. I duhet të kujdeset për veturën e vjetër që i nxjerr tym. Diku është ngatërruar me një çështje pronësie dhe bredh pa fund dyerve të gjykatës për ta zgjidhur. Dikush kërkon punë, sepse e ka humbur atë që kishte. Dikujt i pikon shtëpia. Janë të gjithë njerëz që nuk kanë kohë, nerva, ndjeshmëri për t’u marrë me “formalizmin procedural” të zgjedhjeve. Nga politika presin t’u zgjidhë problemet dhe hallet e përditshme dhe jo të humbasë kohë për të debatuar për standarde ndërkohë që duhet ta kishte parashikuar se çfarë do të ndodhte më parë.
Një sërë praktikash e kanë përzënë në njëfarë mënyre qytetarin nga politika. E ka vështirë qytetari të marrë pjesë në mbledhje këshilli bashkiak, në Kuvend apo edhe në hapësira të tjera publike ku debatohen çështje politike.
“Si nuk u bë një referendum lokal xhanëm!”, – thoshte Qenan K. teksa shtynte oficerin me ngjyrë të bardhë drejt mbretit të zi, mbi pllakën e shahut të shtrirë në stolin ku ishte ulur.
Duket sikur vendimmarrja ka ikur gjithnjë e më shumë nga politika për të shkuar drejt sferave të tjera. Vendimmarrja ka vlerë të rëndë kur bëhet mes aksionerëve të një biznesi. Midis anëtarëve të një familjeje rurale, midis burrit dhe gruas, midis trashëgimtarëve të një prone. Këtu po, këtu e ke qytetarin të gatshëm të grindet, të debatojë, të marrë pjesë, të flasë, ndërsa politika globale i intereson gjithnjë e më pak.
Sovrani i duhet apriori të vendosë për çështjet e demokracisë, por ai nuk e ka kthyer kokën nga politika. Tani ai pret që politika t’i zgjidhë hallet. Kush ka investuar për politikën, pret t’i kthehen ato që ka harxhuar, bile me tepri.
Për fatet e politikës shqiptare vendoset në një pjesë mbizotëruese në kryeqytetet e Evropës, veçanërisht në Bruksel. A nuk do të vendoset atje për vizat? A nuk do të vendoset atje për ta pranuar ose jo vendin tonë si vend kandidat për të hyrë në BE? A nuk diskutohen atje të dhënat e raportit për progresin e Shqipërisë drejt tregut dhe demokracisë? Duket sikur në mendjen e vet, qytetari shqiptar ua ka deleguar qysh tani një sërë kompetencash politike dhe vendimmarrëse institucioneve të Evropës ose edhe më gjerë. Pret nga instancat e huaja.
As politika nuk e do fort nëpër këmbë qytetarin. Në këto kushte a është habi që qytetari interesohet gjithnjë e më pak për politikën? Disa veprime politike i mbeten të pakuptimta dhe të pakuptuara. Miq të hershëm që ndahen në politikë, duke e urryer njëri-tjetrin. Armiq apo rivalë të dikurshëm që bëhen partnerë të së njëjtës kauzë. E djathta rri me të majtën, por edhe e majta rri me të djathtën. Jo vetëm në shtet, por edhe në tryezat e partive opozitare, brendaparlamentare apo që kanë dalë tashmë mbas ca vitesh mbi jetë të lodhshme, jashtë Kuvendit. Politikanët janë pragmatistë, fleksibël, por qytetarët nuk janë. Ata preferojnë të respektojnë ca bindje pothuajse të përhershme. Ndaj edhe habiten nga politika “as e majtë e as e djathtë”, “dhe e majtë dhe e djathtë” kudo ajo që bëhet.
Qytetari duket i lodhur nga politika.
E ka nxjerrë mallin me të pas njëzet vitesh. Është mirë nëse është bërë më pak pasionant sepse e provoi se çfarë i sjellin pasionet një populli, sikurse ishte përvoja e 1997-s, por nuk është mirë nëse definitivisht nuk interesohet më për politikën. Kjo e bën politikën “art” të një pakice politikanësh dhe krijon të çara në shoqëri.
Largimi i qytetarit nga politika po paraqitet si një prirje afatgjatë që e zbeh presionin e opinionit politik shqiptar ndaj vendimmarrësve.