Media në nevojë
Nga Sami Neza
Debatet që kanë nisur këto ditë për gjendjen e medias në Shqipëri, fill pas botimit të një raporti nga “reporterët pa kufij”, është rrezik të shuhen shpejt dhe pa ndonjë produkt siç ka ndodhur edhe herë të tjera.
Arsyeja e këtij shterimi do të vijë, njësoj si në rastet e mëhershme, nga përzierja e politikës në debatin për mediat, gjë që çon në zhvendosjen e qendrës nga media te politika dhe së dyti, komenti politik mbi gjendjen e shtypit në Shqipëri që po ashtu devijon arsyet e përuljes së mediave nga shumë arsye tek një arsye.
Mediat në Shqipëri nuk kanë pasur dhe as nuk kanë ndonjë histori të lavdishme prej të cilave ne gazetarët mund të marrim frymëzim edhe në ditët e këqija. Me përjashtim të një gazetarie të viteve ‘30-të në Shqipëri, nuk është dukur më cilësia e gazetarisë së asaj shkalle për të cilën duhej thënë se ishte më e mirë se Shqipëria e asaj kohe, por jo një media aq e mirë sa i duhej Shqipërisë së atyre viteve.
Pas luftës, as nuk mund të flitet për media, por veçse për propagandë politike. Me vendosjen e pluralizmit, nisi gazetaria e thënies së të vërtetave të diktaturës, impresionuese, e jashtëzakonshme, por fatkeqësisht fragmentare dhe pa krijuar dot një substancë për zhvillimin e medias shqiptare në pluralizëm sipas cilësive të mediave të vendeve demokratike në botë.
Nga ‘90-ta e këtej media shqiptare është e lirë në të botuar, në të shpërndarë, në të shkruar, por nuk është e qëndrueshme në asnjë prej cilësive të mësipërme të lirisë dhe këtë situatë ligësie e ka për shkaqe jopolitike. Asnjë gazetar nuk mund të thotë se nuk ka shprehur ato që ka menduar dhe se nuk ka shkruar ato që ka parë dhe gërmuar nëse ka pasur dëshirë ta bëjë këtë gjë. Por janë me qindra ata gazetarë që mund të numërojnë në ushtrimin e këtij profesioni dhjetëra e dhjetëra raste kur nuk kanë shkruar ato që kanë parë, kur nuk kanë shprehur ato që kanë menduar dhe nuk kanë mundur të shohin ato që duheshin parë prej tyre. Janë me dhjetëra ata gazetarë që në ditët e lirive politike dhe të lirive të tyre i kanë përjetuar këto liri njësoj si biznesmenët, njësoj si politikanët, por jo si gazetarë. Që të bindemi për këtë, mjafton t’i hedhin një sy historisë së gazetave që zunë truallin e mediave në vitet ‘92-‘96. Ato kanë një finale, por jo finale gazetash, por finale biznesi apo finale partie. Për sa kohë ishin larg ambicieve jomediatike, ato ia dolën të realizonin ambiciet mediatike, por kur hoqën dorë prej të qenit gazetar, koha u hoqi të drejtën për të qenë media.
Nuk ka ndonjë qeveri sado demokratike të jetë, e cila inkurajon mediat ta kritikojnë, ta pështyjnë, apo ta rrëzojnë, por ka dhjetëra e dhjetëra qeveri që nuk ushtrojnë represion ndaj mediave, që nuk lidhin me to dhjetëra fije interesash.
Qeveria aktuale e Shqipërisë është ndër të paktat qeveri që ka ndërtuar disa instrumente ligjore dhe institucionale, që e ndajnë qeverinë prej mediave, por nuk ka ende instrumente që e ndajnë median prej saj.
Edhe politika në përgjithësi nuk ka shumë instrumente që e mbajnë lidhur median me të, por media pothuajse nuk ka asnjë instrument që e mban atë të ndarë nga politika. As politika, as qeveria nuk mund ta ndihmojë median në këtë aspekt. Një qeveri me pak vullnet, apo me pak ligje mund “të izolohet” nga bashkëpunimi me median, por nuk mund që me të njëjtat mjete të “izolojë” edhe gazetarët prej saj. Po mendohet për një ligj për mediat, pra edhe ato të shkruarat. Do të jetë shumë vështirë ta shpëtosh atë ligj, sido që të jetë nga kritikat dhe kontestimet. Jo thjesht se aty ku hyn ligji, tkurret gazetaria. Jo thjesht se ai do të duket si i eksportuar nga institucionet tek mediat, por edhe për shkak se rregullat që ndërtojnë një administratë perfekte do të ndërtonin një media obskurantiste.
Media shqiptare është një media në nevojë. Përcaktimi i masës së kësaj nevoje është fillimi i kuptimit të krizës së mediave në Shqipëri, por jo zgjidhja.