Kalaja: Nuk e meritojmë të na hiqen pronat
Kreu i BSPSH-së cilëson vendimin e qeverisë si një veprim aventurier, i marrë në mënyrë të fshehtë
TIRANË- Vendimi i qeverisë për të marrë nën administrim pronat e sindikatave ka shkaktuar pakënaqësi të thella tek këto të fundit. Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, e ka cilësuar hapin e nismën e qeverisë aventurë pasi nuk është konsultuar me asnjë nga përfaqësuesit e sindikatave. "Është një veprim aventurier i qeverisë, i marrë në mënyrë të fshehte dhe pa u konsultuar me asnjë nga përfaqësuesit e sindikatave shqiptare, i marrë në një periudhë kur të gjithë njerëzit janë pushim.
Edhe unë që jam në krye të BSPSH-së, miratimin e një projektligji të tillë, e kam mësuar vetëm nëpërmjet mediave pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Zoti Kryeministër shprehet se është marrë edhe miratimi i përfaqësuesve të sindikatave, gjë të cilën unë e mohoj të ketë ndodhur. Nuk meritonim një shpërblim si ky nga qeveria për vetë kontributin që sindikatat kanë dhënë në demokratizimin e vendit",- tha ai duke shfaqur zhgënjim dhe habi në të njëjtën kohë.
Administrimi i pronave të sindikatave nga shteti, krahas heqjes së pavarësisë ekonomike sipas Kalasë mbart edhe rrezikun e mosekzistencës së sindikatave për vetë faktin se duke qënë anëtare e disa organizmave ndërkombëtare, ajo mbart në vetvete edhe një mori detyrimesh karshi tyre. Në mënyrë të përsëritur, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë iu ka kërkuar qeverive në fuqi zgjedhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me pronat, por vendimi për marrjen nën administrim nga shteti të pasurive të sindikatave, ka ardhur si rrufe në qiell të hapur për këta të fundit. "Nuk e besonim që do të merrnim një goditje të tillë", -tha Kalaja duke shtuar se kjo çështje do t'i bëhet e ditur të gjithë organizmave ndërkombëtare.
Ditën e hënë pritet të zhvillohet një mbledhje jashtë radhe e Këshillit Kombëtar të Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë për të marrë në shqyrtim hapat që do ndërmerren në kundërshtim të projektligjit të miratuar nga qeveria. "Me një dekret të Presidentit Rexhep Mejdani, sindikatave iu njoh e drejta që të administronin pronat e ish-bashkimeve profesionale deri në vitin 2020. Këto pasuri janë regjistruar në hipotekë në emër të sindikatave. Zoti Kryeministër duhet ta dijë që ato nuk janë prona të saj por të ish-bashkimeve profesionale"- tha ai.