E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushuesi kosovar i shpëton jetën një 8-vjeçareje


SARANDË - Falë ndërhyrjes në kohë të tij, jeta e një vogëlusheje është shpëtuar nga mbytja në det. Heroi i radhës është një pushues kosovar, i cili pasditen e së enjtes mundi të shpëtojë për mrekulli jetën e një vajze 8-vjeçare, e cila ishte duke u larë në brigjet e Jonit, në qytetin e Sarandës. Mësohet se 8-vjeçarja nga Fieri, V.Xhaferri, ka hyrë të lahej në det, ndërsa ka humbur vëmendjen e prindërve, duke rrezikuar të mbytej. Ka qenë pushuesi kosovar që ka mundur ta nxjerrë nga deti, në gjendje të asfiksuar.

Sipas dëshmitarëve okularë, menjëherë pas nxjerrjes nga deti vogëlushes i është bërë frymëmarrje artificiale dhe është dërguar në spitalin "Petro Nako" të qytetit të Sarandës. Ndërkohë, burime nga ky institucion kanë bërë të ditur se vajza ka mbërritur në gjendje të rëndë shëndetësore rreth orës 14:35 të ditës së enjte. "Për shkak të gjendjes së saj të rënduar, mjekët kanë vendosur që të transportohet urgjentisht me helikopter për mjekim më të specializuar në kryeqytet", kanë bërë të ditur të njëjtat burime. Vetëm dhjetë ditë më parë, një tjetër fëmijë 5-vjeçar mundi të shpëtojë falë ndërhyrjes së një marinari.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›