Kalaja: Nuk kemi lekë për kompensimin
Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, komenton shfuqizimin e ligjit të vitit 1998, duke nxjerrë ta pavlefshme të gjitha kontratat e lidhura midis investitorëve dhe sindikatave për marrjen në shfrytëzim apo shitjen e pronave të këtyre të fundit.
Sipas tij, pretendimi që sindikatat t'i kthejnë palëve të treta paratë e investuara është në mospërputhje me realitetin.
Z. Kalaja, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, kaloi dje një projektligj që shfuqizon çdo kontratë të lidhur midis sindikatave dhe palëve të treta në lidhje me lëshimin apo shitjen e pronave nën administrimin tuaj duke njohur shtetin si pronar të përhershëm të tyre, si e komentoni këtë veprim?
Këto prona u morën të shkatërruara pas vitit 1997 dhe u rindërtuan gjatë këtyre viteve duke iu shërbyer sindikatave për aktivitetet e tyre. Sot kur ato janë bërë gati, janë modernizuar, janë bërë investime madhore disa milionë euro qeveria shpreh gatishmërinë e saj për t'i marrë.
Ky hap është i padrejtë dhe janë shkelur një serë konventash ndërkombëtare, dekretin e vitit 1992 të Presidentit të Republikës dhe ligjin e Parlamentit të vitit 1998, sipas të cilit pronat e sindikatave janë të patjetërsueshme deri në vitin 2020.
Sipas shpjegimit që përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë i bënë dje këtij projektligji, nëse një palë e tretë ka investuar një sasi parash, duhet të jeni ju ata që do të kompensojnë investitorët. Janë në gjendje sindikatat për të përmbushur këtë detyrim?
Qeveria e di shumë mirë që ne nuk kemi mundësi për t'i kthyer ato para. Sindikata nuk ka mundësi ta bëjë atë.
Vetëm partitë që janë në pushtet mund të kenë fonde për realizimin e atij kompensimi, pasi me kuotat që derdhen, të cilat janë simbolike jo vetëm që nuk mund të kthejmë ato para, por nuk mund të zhvillojë as aktivitetet tona.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë u tha se gjatë shfrytëzimit në këto vite sindikatat duhet të kishin krijuar aq fond për të bërë të mundur kompensimin e investitorëve..
Të vijnë të na i marrin, ne jemi me duar në xhepa. Si duket qeveria ka synim eliminimin e sindikatave duke i marrë pronat. Ky veprim nuk shpjegohet ndryshe.
Çfarë hapash do të ndiqni, për të mos lejuar aplikimin e këtij projektligji i cili sipas jush rrezikon ekzistencën e sindikatave?
Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore. I jemi drejtuar Komitetit të Lirisë dhe Asociimit në Gjeneve, e cila ka sjellë edhe një përgjigje për qeverinë shqiptare ku shprehet se kjo çështje do të merret në shqyrtim nga ky komitet dhe qeveria shqiptare duhet të dërgojë dokumentacionin e saj pranë tij. Kjo çështje pritet të shqyrtohet deri në fund të muajit nëntor.