Rama: Berisha po "than" buxhetin e bashkive
Kreu i Bashkisë së Tiranës kundërshton ndërhyrjet e Kuvendit në ligjin për taksat vendore dhe vendosjen e tarifave fikse
TIRANË- Ndryshimet e miratuara së fundmi në parlament për një sërë taksash që deri më dje kanë qenë kompetencë e bashkive dhe komunave, janë shoqëruar me pakënaqësi tek disa prej tyre.
Një ditë më parë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, shprehu shqetësimin për ndryshimet që qeveria ka bërë në nivelin e disa taksave që vilen nga pushteti lokal, të cilat sipas tij janë bërë me qëllim mbushjen e arkës së buxhetit të shtetit duke zbrazur arkat e bashkive dhe komunave.
"I bëj një paralajmërim Kryeministrit, që sulmin e pandalshëm ndaj financave lokale, ta ndalë, sepse do të ndeshet me një rezistencë dhe me një refuzim që unë nuk do ta dëshiroja.
Është e patolerueshme që ky njeri të zhbëjë atë që është ndërtuar gjithë këto vite, si autonomi vendore dhe të zbrazë arkat e pushteteve vendore dhe të qyteteve të vendit, për të mbushur buxhetin e shteti", - tha Rama.
Dy ditë më parë, parlamenti miratoi një serë ndryshimesh të propozuara nga qeveria në lidhje me sistemin fiskal të vendit, taksat lokale, taksat kombëtare etj.
Një ndër ndryshimet që pritet të ketë ndikim të madh në uljen e të ardhurave të pushtetit vendor është ulja në nivelin e 0.5 për qind të vlerës së investimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë, apo heqja e të drejtës së këshillave të bashkive apo të komunave për të përcaktuar nivelin e taksës së tabelës, duke ia veshur këtë të atribut vetëm ligjit.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi gjatë seancës kur u miratua paketa me ndryshimet se kjo ndërhyrje bëhet me qëllim lehtësimin e procesit të legalizimeve pasi sipas tij, taksat e larta që kanë vendosur autoritetet e pushtetit vendor kanë rritur koston e këtij procesi për të gjithë qytetarët.
Ndryshim tjetër që ndikon në zvogëlimin e buxhetit të bashkive dhe të komunave është ai për taksën e tabelës për qëllime identifikimi. Në bazë të ligjit, zbatimi i kësaj takse në Bashkinë e Tiranës është në nivelet 150 lekëve në vit për tabelat në gjuhën shqipe dhe 3.000 lekë për tabelat në gjuhë të huaj.
Por, me ndryshimet më të fundit, ajo unifikohet në një euro, pavarësisht gjuhës së shkruar.
Për t'u theksuar është rritja e madhe që kanë pësuar taksat e tabelave për qëllime reklamimi.
Nëse më parë për bashkinë e Tiranës kjo taksë ndryshonte nga 10 mijë lekë për metër katror në vit për tabelat e zakonshme dhe 15 mijë lekë për ato elektronik,e me ndryshimet në fjalë ato unifikohen në nivelin e 45 mijë lekëve në vit për metër katror.
Kjo përplasje midis qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës në lidhje me detyrimet fiskale që kanë individët apo bizneset ndaj kësaj të fundit nuk është e para.
Gjatë muajit prill, kreu i Bashkisë së Tiranës akuzoi Kryeministrin Berisha për shkelje të autonomisë së pushtetit lokal duke zvogëluar në masën 10 për qind hapësirën që bashkitë apo komunat kanë të drejtë për të rritur apo ulur taksat vendore nga niveli ekzistues. E.Senja