Buxheti, fondi për të përndjekurit dhe pronarët
Parlamenti ka miratuar mbrëmjen e djeshme ndryshimet në buxhetin e shtetit duke përfshirë edhe rialokimin e fondeve
TIRANË- Parlamenti miratoi mbrëmë vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës ndryshimet në buxhetin e këtij viti dhe një serë ligjesh që kanë të bëjnë me sistemin fiskal të vendit.
Dje u miratua, projektligji për taksat kombëtare, akcizat, taksat vendore, ai për rimburismin e TVSH-së, projektligji për procedurat tatimore, etj. Për t'u theksuar janë ndryshimet në nivelin e akcizave për një serë mallrash, siç është kafeja, pijet alkoolike, duhani, etj.
Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, ndryshimet më të fundit bëhen me qëllim përafrimin e nivelit të akcizave me vende të bashkimit evropian dhe ato të rajonit dhe se ato do të rriten edhe më tej deri në barazimin e tyre me këto shtete. Në këtë mënyrë Bode ka paralajmëruar rritje të mëtejshme të taksave deri sa çmimet e duhanit dhe alkoolit të arrijnë nivelin e vendeve të Europës.
Ndër projektligjet më të rëndësishme ishte edhe ai që ka bëjnë me rimbursimin e TVSH-së. Sipas ndryshimeve më të fundit, nëse administrata tatimore nuk rimburson TVSH-në për bizneset brenda 30 ditëve, këtyre të fundit u njihet e drejta që të mos paguajnë taksa deri në rimarrjen mbrapsht të saj.
Ndryshimet në buxhetin e vitit 2009 u bënë duke rialokuar rreth nënte miliardë lekë fonde. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, këto ndryshime bëhen me qëllim marrjen e fondeve nga projekte që kanë pasur performancë të ulët dhe dërgimi i tyre në ato projekte ku ecuria është e mirë.
Sipas Bodes, ndërtimi i infrastrukturës rrugore është një nga sektorët ku ka pasur një ecuri të mirë gjatë këtij viti, për rrjedhojë do të përfitojë edhe pjesën më të madhe të fondeve.
Krahas kësaj, ndryshimet në buxhetin e vitit 2009 kanë pasur si subjekt edhe shtimin e fondit të kompensimit të ish-pronarëve dhe dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politik. "Me ndryshimet në buxhet, ndihmohen shtresat sociale. Rritet fondi për ish-të përndjekurit dhe pronarët me 10 milionë euro", - theksoi Bode disa ditë më parë në parlament.
Për sa i përket këtyre të fundit, parashikohet shtimi i fondit me rreth 1.2 miliardë lekë për secilën kategori. Në këtë mënyrë, fondi për vitin 2009 për dëmshpërblimin e ish-pronarëve nga 600 milionë lekë rritet në rreth 1.8 miliardë lekë.
Rritje ka pësuar edhe fondi për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Nga dy miliardë lekë që ishte parashikuar në fillim të vitit, duke shtuar 10 për qind të parave të përfituara nga privatizimi i OSSH-së, arrin në 3.2 miliardë lekë.