E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO: Arrestimi i Haxhiç, i mirëpritur

BRUKSEL- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, përshëndeti sot arrestimin shumë të mirëpritur të Goran Haxhiç, ish-shef i serbëve të Kroacisë, gjë që, sipas tij, "mbyll kapitullin më të dhimbshëm" të historisë së kohëve të fundit të Evropës.

"E përshëndes arrestimin shumë të mirëpritur të Goran Haxhiç, i dyshuari i fundit për krime i akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë", deklaroi Rasmussen, në një komunikatë.

"Pas transferimit të ish-gjeneralit të forcave serbo-boshnjake Ratko Mlladiç në Hagë, ky arrestim do të bëjë të mundur mbylljen e kapitullit më të dhimbshëm të historisë evropiane të kohëve të fundit", theksoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Atlantike, ndërhyrja e armatosur e të cilës i dha fund luftës në Bosnje-Hercegovinë dhe në pjesën tjetër të ish-Jugosllavisë në vitin 1995.

Duke përgëzuar autoritetet serbe se kanë "mbajtur angazhimet e tyre ndërkombëtare", Rasmussen thekson se "e ardhmja e Serbisë bazohet në një bashkëpunim konstruktiv me fqinjët e saj dhe me atë" që ai e quan "familja euro-atlantike".

"NATO-ja mbetet e angazhuar të ndihmojë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit të tij në botën euro-atlantike", shtoi ai.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›