Të shpërblyerit
Të gjithë mendojnë se vuri dy idiotë, por në fakt ata vlejnë më shumë se aq. Aldo Bumçi dhe Eduard Halimi ngjan si cinizëm i tepruar me të gjitha palët, por po të mendoheni pak, gjeni diçka që i bashkon. Ajo që po përpiqet të konsolidojë Berisha së paku pas marsit të vitit 2008, kur biznesi i familjes, ndërtuar me firma ministrash dhe të vetë atij si kryeministër vrau 26 vetë, është shpërblimi i njerëzve që i dolën në mbrojtje familjes së tij, ose që e morën si fat, faktin që ishin të përzierë në atë histori. Aldo Bumçi është një i tillë. Sali Berisha e hoqi atë me neveri nga Ministër Drejtësie, si një ministër të paaftë dhe bllokues, por kjo ndodhi në vitin 2007, disa ditë pasi ai kishte firmosur për biznesin e djalit të vet dhe pasi ja kishte dërguar dhe me faks rekomandimin e Ministrisë privatisht. Prokuroria ka provuar përmes dy sekretareve të tij se faksi për Shkëlzen Berishën u nis nga zyra e tyre, dhe personi që ka vënë shënimin në cepin e djathtë të saj, mendohet se është një ish vartës i Aldos, tani po ashtu deputet i PD-së për këtë shkak. Kur Gërdeci shpërtheu dhe djali i tij u gjend i zbuluar mes dy bizneseve të armëve, njërës që kishte të bënte me shitjen e tyre ne Afganistan dhe tjetri me demontimin në Gërdec, Aldo Bumçi ishte njeriu që mund ta varroste përfundimisht sikur të dëshmonte që ai ja kish bërë atë nder Shkëlzen Berishës. Ashtu si gjysëm shejtan e gjysëm budalla, në të vërtetë arriti të faktorizohet tek Berisha përsëri, duke ja ditur për nder tragjedisë që mori jetë njerëzish, por riktheu Aldon në politikë. Pas kësaj Berisha hoqi dorë nga denigrimi i Bumçit dhe filloi rehabilitimin e tij. E emëroi kryetar të degës së Tiranës, edhe pse nuk arriti ta mbledhë asnjëherë atë parti, dhe së fundi e riktheu Ministër, në një vend që sbën shumë dëm, pasi dëmin e ka bërë më parë politika e Berishës për turizmin. Ajo që do të tregojë Berisha është se kush i gjendet atij në krah për ti mbuluar problemet e Familjes në bizneset e pista, do shpërblehet. Kush heziton të përfshihet në këtë pisllëk, ska më punë me të. E gjithë kjo po ngre dita- ditës jo vetëm kultin e Familjes, por po nxit dhe antivlerat brenda PD-së, pasi rruga drejt karrierës nuk kalon tek vlerat e tua personale, por tek fakti sa i ke shërbyer mbulimit të pisllëqeve të pjesëtarëve të Familjes.
I dyti, Eduard Halimi, nuk është budalla siç bën teatër shpesh. Është padyshim shumë më inteligjent se Bumçi dhe vjen në politikë pasi ja ka parë hairin sistemit të korruptuar të drejtësisë si ish avokat. Ai ka provuar të jetë në siklet me bizneset e tokave të Familjes tek Liqeni dhe është tërhequr prej tyre në kohë, duke e paguar haraçin ortaku i tij, i cili u burgos dhe ja morën firmën për tokat në burg. Pas kësaj u la i lirë dhe tani është rehabilituar. Por prova që e bëri Halimin ministër ishte padyshim Komisioni i 21 janarit. Edhe pse është komisioni më teatral në historinë e Shqipërisë, fakti që një njeri si Halimi e mori atë përsipër me koshiencë të plotë se çdo fitonte prej asaj detyre denigruese, tregon se e kishte kuptuar çelësin e suksesit në PD. Ai e mori Komisionin, u ul në krye të tavolinës, bëri një listë puçistësh ku përfshiu dhe autorin e këtyre radhëve dhe përpiqej të ishte sa më i egër në sytë e publikut. Pas mbledhjeve, të dërgonte sms me telefona ta panjohur për të të thënë mos tu ngelet qejfi se ai është i detyruar të sillet ashtu. Por kjo pjesë nuk i hyn në punë njeriut përveç nesh që nuk ishim të mërzitur pse na kishin shpallur puçistë, por ishim realisht të mërzitur pse nuk kemi mundësinë të jemi puçistë të regjimit të Sali Berishës. Por dhe në këtë rast Berisha dëshmoi se standardi për të bërë karrierë në PD është pikërisht prova që je i gatshëm të denigrohesh publikisht për të mbuluar një skandal të Familjes apo një histori që vë në rrezik pushtetin e familjes. Dy njerëzit që e bëjnë më keq këtë punë janë këta të dy që u bënë ministra, por Berishës nuk i duhet cilësia, por shkalla e devocionit. Pushteti i tij ka mbërritur në një shkallë të tillë degradimi, sa nuk vlen më cilësia, por aftësia për të kuptuar se për çfarë sakrifice ka nevojë regjimi i Familjes. Bumçi dhe Halimi e kanë këtë aftësi. Ndaj është teprim tu thuash idiotë. Është po ashtu teprim tu thuash ushtarë të Berishës. Janë thjesht dy njerëz mediokër që e kanë kuptuar se çduhet bërë për tu bërë ministra, duke hapur kështu një garë të pështirë antivlerash drejt degradimit përfundimtar të qeverisjes, aq sa do ta na shtohet shumë respekti për Pali Miskën, Hekuran Isain, dhe sidomos Xhemal Tafajn në vitet e fundit të komunizmit. Ata dinin më shumë nga puna, dhe më pak nga politika, këta dinë më shumë çi duhet politikës Berishës dhe sdinë asgjë nga puna.
