E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalaja e Elbasanit, të dhënat pas tre vjet studimesh

Rezultatet e Universitetit të Pizës dhe studiuesve shqiptarë në një studim për kalanë e Elbasanit


Elbasan - Është përcaktuar si manual, hartë dhe dëshmi e një projekti gjigant, volumi I i paraqitur në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", punë e një grupi studiuesish të Universitetit të Pizës, Institutit të Monumenteve të Kulturës, me mbështetjen e Bashkisë së Elbasanit. Është fjala për librin "Duke zbuluar dhe promovuar vlerat e kalasë së Elbasanit".

Në takimin e djeshëm merrte pjesë edhe ministri i Kulturës, Ardian Turku, mbështetës i projektit kur drejtonte Bashkinë e Elbasanit. Ministri tha se është për t'u vlerësuar puna e studiuesve të kësaj vepre për zonën historike të qytetit. "Ata na kanë lënë edhe disa rekomandime për menaxhimin e territorit të kalasë dhe mund t'ju them i bindur se ky është një dokument unik në vendin tonë që na dikton se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen. Nga pozicioni që jam do të mbështes projekte me vlerë dhe rëndësi që diktojnë zhvillimin për të ardhmen e këtyre zonave".


Prof. Roberto Pierini, përfaqësuesi kryesor i palës italiane për këtë projekt nga Universiteti i Pizës, bëri një sintezë të veprës e cila tregon përvojën e gërmimeve trevjeçare, kërkime rigoroze shkencore, nën drejtimin e një ekipi ndërkombëtar arkeologësh në Shqipëri: një vend i pasur me monumente arkitekturore, me "dëshmi prej guri" për historinë e këtij vendi të Mesdheut.


Objekt kryesor ka qenë kalaja e Elbasanit, e shkatërruar dhe e restauruar disa herë.
Studimi jepet në tre gjuhë. Në këtë mënyrë vlen edhe si një manual interesant informimi për turistët.

Ky projekt ka kushtuar 80 mijë euro, nga të cilat 40 mijë euro u akorduan nga Bashkia Elbasan ndërsa pjesa tjetër nga Universiteti i Pizës, pjesëmarrës në projekt.
Prof. Pierini e ka cilësuar Kalanë e Elbasanit si shembullin unik në botë të një kalaje me dimensione të tilla e cila që nga periudha romake ndodhet sot në qendër të qytetit. Ai e ka cilësuar detyrë ndërgjegjësimin e të gjithëve për një thesar që nuk e dinin që ekzistonte në këto përmasa.


Për Neritan Cekën ky është një projekt që na inkurajon për të avancuar: në ruajtjen e banesave me vlera arkitekturore, e katedrales, por edhe në projektin ku janë dhënë 1 milion euro për restaurimin e Via Egnatias, apo për mozaikun e zbuluar së fundi në Elbasan, një ndër më të veçantët në rajon. Ceka ka theksuar se në rastin e monumenteve të Elbasanit është treguar një vullnet politik dhe mbështetje e plotë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›