Meta kthen mendje, pas zgjedhjeve, koalicion me PS-në
Realiteti politik në vend dhe pesha konkrete në bazë, duket se ka detyruar Lëvizjen Socialiste për Integrim që të "zbresë me këmbë në tokë" dhe ta shikojë më me optimizëm bashkëpunimin paszgjedhor me socialistët. Vetëm pak ditë pasi tentoi më kot të rivalizojë socialistët në një miting, kreu i kësaj force, Ilir Meta, për herë të parë pas shumë muajsh sulmesh dhe akuzash, ka deklaruar hapur se pas zgjedhjeve do të bashkëqeverisë me socialistët.
Duke marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit paraelektoral me partinë minoritare të Ligoraq Karamelos, Meta është përpjekur të hedhë poshtë, si përpjekje për diversion, deklaratat e bëra nga Kryeministri Berisha, për një bashkëpunim të mundshëm pas zgjedhjeve me partinë Lëvizja Socialiste për Integrim. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë deklaratë, ai ka bërë të qartë se nuk është Berisha ai që përcakton se me kë bën koalicion Lëvizja Socialiste për Integrim.
"Në rast se nuk do të arrijë të fitojë e vetme në këto zgjedhje, padyshim që LSI-ja koalicionin do e bëjë me forcat e majta dhe, natyrisht, në radhë të parë, me Partinë Socialiste.
Sepse ne asnjëherë nuk na ka ndarë dhe nuk na ndan asnjë gjë nga socialistët dhe idealet e tyre për një Shqipëri më të mirë, në themel të së cilës të jetë solidariteti dhe jo intrigat, as të Berishës dhe as të atyre të tjerëve që i pëlqejnë intrigat e Berishës", - tha Meta.
Megjithatë, duket se një bashkëpunim pas zgjedhjeve edhe me socialistët, duket se do të jetë i kushtëzuar nga sjellja, që LSI-ja do të ketë gjatë fushatës zgjedhore kundrejt PS-së.