Merr peng gruan që bashkëjetonte dhe familjen e saj
ELBASAN/ Binjaku nuk ka duruar ndarjen dhe ka kaluar në depresion. Policia liron pengjet dhe arreston 36-vjeçarin
ELBASAN- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në mbrëmje në fshatin Shtërrmen të komunës Gostimë në rrethin e Elbasanit ku një 36- vjeçar ka marrë peng gruan me të cilën kishte bashkëjetuar dhe familjen e të vëllait të saj.
Situata e vështirë ka zgjatur dy orë dhe gruaja bashkë me vëllanë dhe pjesëtarë të tjerë të familjes kanë qëndruar nën kërcënimin e armës së 36- vjeçarit Sajmir Binjaku me synimin që ajo të kthehej me të. Gjatë këtyre negociatave që kanë zgjatur dhe familja Kovaçi në Shtërrmen ka qëndruar nën tytën e pistoletës për dy orë, një prej pjesëtarëve të familjes ka përfituar nga një pakujdesi e pengmarrësit dhe ka njoftuar nëpërmjet telefonit policinë.
Menjëherë efektivat blu pasi kanë mësuar gjithçka sesi qëndronte situata kanë rrethuar shtëpinë ndërsa dy prej tyre kanë trokitur në portë. Sapo ka vënë re gjithçka 36- vjeçari nuk ka bërë asnjë rezistencë.
Sipas efektivave blu që e kanë arrestuar, ai ndodhej në një gjendje jo të mirë psikologjike pasi nuk pranonte faktin e ndarjes. Këtë ngjarje e ka përjetuar mjaft keq edhe 31- vjeçarja M. Kovaçi e cila kishte bashkëjetuar në Durrës me shtetasin Sajmir Binjaku por kohët e fundit ata ishin grindur dhe 31- vjeçarja ishte kthyer tek prindërit e saj
Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një pengmarrje që ka zgjatur dy orë por që fatmirësisht gjithçka është mbyllur pa të lënduar. Policia ka konfirmuar se ky shtetas ka përdorur një armë tip "Bereta" për të realizuar krimin e kanosjes, armë e cila është bllokuar në cilësinë e provës materiale po kështu një krehër me shtatë fishekë.
Ndihmë kryesore për ndërhyrjen e policisë ka qenë telefonata e vëllait të gruas, Gramoz Kovaçi, i cili ka përfituar nga mungesa e vëmendjes për një moment e pengmarrësit. Sipas drejtuesve të policisë që kanë udhëhequr operacionin, autori është dorëzuar sapo kur ka parë uniformat blu. Ai ka qenë në një gjendje të turbulluar psikologjike për të ndërmarrë këtë akt.
Ai nuk e kishte pritur mirë ndarjen me 31 -vjeçaren, me të cilën kishte bashkëjetuar për disa kohë, dhe kishte zgjedhur mënyrën më të keqe për ta rikthyer pranë tij.
Historia ka tronditur sidomos familjen Kovaçi, e cila ka qëndruar për dy orë nën presionin e 36- vjeçarit. Sajmir Binjaku do të përgjigjet për veprat penale të kanosjes, mbajtjes pa leje të armëve luftarake, dhe heqjes së paligjshme të lirisë.