Kalaja e Tiranës, në qendër historike!
Kalaja e Tiranës do të shndërrohet në qendër historike. Ky monument kulture, pas shumë kohësh i lënë pas dore, tanimë do të jetë i mbrojtur prej ndërhyrjeve ndërtimore me, apo pa leje qofshin ato, të cilat zbehin qëllimin kulturor të kalasë. Kështu, dy institucione të specializuara për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA), me urdhër të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka përgatitur studimin me dokumentacionin përkatës, i cili pritet që së shpejti të kalojë në qeveri, në mënyrë që zona e kalasë së Tiranës të shpallet zonë e mbrojtur arkeologjike e kategorisë “A”. Sipas ligjit të Trashëgimisë Kulturore, ky hap nënkupton ndalimin në këtë zonë të çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor, me përjashtim të restaurimit të monumenteve të kulturës dhe rrjetit inxhinierik, projektet e të cilave miratohen nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR) dhe Këshilli i Arkeologjisë (KKA). Drejtori i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, Roland Olli, ka shpjeguar detajet e këtij projekti, duke u shprehur se “do të ketë vetëm ndërhyrje restauruese dhe çlirim nga të gjitha ndërtimet e paligjshme. Ky është koncepti bazë. Zona vihet në mbrojtje të plotë dhe i hapet rruga edhe studimeve të mëvonshme qoftë në konceptin arkeologjik apo atë restaurues. Shpresojmë që qeveria do ta shikojë me prioritet miratimin e këtij projekt-vendimi, bashkë me të cilin është përgatitur edhe një sistem modern i hartës që përcakton vendin e mbrojtur me koordinata gjeografike, kështu që edhe orientimi në terren është shumë i lehtë kur bëhet fjalë për ndërhyrje të karakterit shkencor restaurues”. Sipas tij, duke qenë se kalaja e Tiranës është monumenti më me vlerë për sa i përket territorit që mbulon kryeqyteti, ka qenë një ide e vjetër që kjo zonë të trajtohej me një prioritet të veçantë. “Meqenëse ka pasur disa propozime për ndërhyrje restauruese në Kalanë e Tiranës, synohet me këtë vendim t’iu hapet rruga të gjitha këtyre ndërhyrjeve restauruese, por edhe atyre të karakterit studimor, në konceptin e arkeologjisë”, - thotë Olli. Projekti në fjalë, synon që kalaja të shndërrohet në një monument të vizitueshëm, duke u çliruar kështu edhe nga ngarkesat e pas viteve ’90. Për këtë, projekti parashikon edhe ndërmarrjen e shumë studimeve, sondazheve në të gjitha nivelet e zhvillimit të kalasë dhe ndërhyrjeve me karakter restaurues.
Gjendja e kalasë
Aktualisht, kalaja e Tiranës gjendet e mbytur në ndërtime të ngritura për qëllime përfitimi, duke ia shpërdoruar vlerat monumentale historike të trashëgimisë kulturore. Ndërkohë që sipas drejtorit Roland Olli, gjendja aktuale e kalasë paraqitet e mirë me përjashtim të këtyre ndërhyrjeve të pas ‘90-ës. Sipas Ollit, në kala janë bërë vazhdimisht ndërhyrje të autorizuara në konceptin e rikonstruksioneve, por edhe të paautorizuara, pa leje. “Pa leje ka qenë ndërtimi midis kinema “Millenium” dhe ish-Pallatit të Pionierëve. Shkak i këtyre ndërtimeve është midis të tjerash edhe mungesa e një statusi të tillë. Propozohet nëpërmjet këtij projekt-vendimi që ndërtesat që janë jashtë qëllimeve dhe funksionit të kalasë të lirojnë territorin e saj”, - thotë ai. Drejtori na sqaron se brenda territorit të kalasë janë një grup ndërtesash të shpallura monumente kulture. Duke qenë se muret e kalasë janë shpallur monument kulture i kategorisë së parë, është spekuluar me territorin përreth. Për këtë, Olli thekson se “përveç mureve të kalasë, tashmë shpallet zonë e mbrojtur edhe territori brenda dhe përreth kalasë. Në këtë mënyrë, nuk ka më shteg për keqinterpretime”.
Shtatë zonat pasardhëse
Veç këtij projekti, i cili pritet të miratohet nga qeveria, ASHA po punon në të njëjtën kohe edhe për përgatitjen e Rregullores së Administrimit për zonën arkeologjike në Durrës, që do të pasohet me hartimin e rregulloreve për shtatë zona të tjera arkeologjike të shpallura në Shqipëri. Drejtori i ASHA shpjegon se fillimisht puna do të përqendrohet në Durrës, për shkak të intensitetin arkeologjik që përfaqëson ky qytet në Shqipëri. Ndërkohë që hapi tjetër do të jetë përgatitja e dokumentacionit për zonën arkeologjike të Lezhës. “Ky dokumentacion parashikon edhe një zgjerim të kufijve aktualë të zonës së mbrojtur për arsye të zbulimeve të reja që janë bërë gjatë 3-4 viteve të fundit”, - pohon Olli, duke shtuar se kjo rregullore gjendet në fazën përfundimtare të përgatitjes. Deri më tani, në mungesë të kësaj të fundit, pra rregullores, drejtori bën me dije se hapësirat e abuzimeve ilegale kanë qenë mjaft të gjera. “Mungesa e një rregulloreje për administrimin e zonave të mbrojtura arkeologjike, ka lënë një shteg abuzimi, i cili është shfrytëzuar nga bashkitë, përgjegjëse sipas territoreve që administrojnë”, - thotë ai. “Duke përfituar nga ky boshllëk ligjor, - vijon Olli, - pavarësisht se ligji për Trashëgiminë Kulturore ekziston, këto bashki kanë dhënë leje edhe në zona arkeologjike të mbrojtura. Ndërkohë që përveç këtyre, ka pasur edhe ndërtime pa leje, ku këto të fundit janë iniciativa edhe më të rënda”.
Parqet kombëtare
Parqet kombëtare paraqesin gjendje më të mirë administrimi, në krahasim me monumentet kulturore. Drejtori i ASHA, Roland Olli, bën të ditur se parqet kombëtare aktualisht kanë rregulloret e administrimit, ndërsa për momentin mungojnë ato të zonave arkeologjike për qendrat e banuara. “Në parqet arkeologjike, situata paraqitet më ndryshe, meqenëse janë territore më larg zonave të banuara dhe nuk janë territore të synuara për ndërtime, për qëllime përfitimi. Ka pasur raste të gërmimeve të fshehta klandestine, për të cilat është kërkuar bashkëpunim me Policinë e Rendit”, - përfundon Olli.