Konsultimet , Ministri Tafaj: Mësuesit, çdo ditë një orë shtesë në punë
Mësuesit e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin do të planifikojnë një orë mësimore shtesë çdo ditë të punës së tyre. Kjo orë do të shërbejë për të kryer konsulta me nxënësit që kanë nevojë. Në këtë mënyrë mësuesit nuk do ta përfundojnë punën e tyre në përfundim të orëve të programuara, por pasi të kenë kryer edhe konsultën. Nga ky rregull i ri, që pritet të mbërrijë brenda javës në zyrat e drejtorëve të shkollave, nuk përjashtohen as mësuesit e fizkulturës, të cilët duhet të përfshijnë nxënësit në aktivitete sportive. Orët e konsultave të detyruara të vendosura nga Ministria e Arsimit mirëpriten veçanërisht nga nxënësit e arsimit të mesëm. Rregulli i ri, që detyron mësuesit të japin orë shtesë për nxënësit që kanë nevojë, nuk do të thotë aspak që mësuesit do të punojnë 8 orë, por thjesht ata do t’i shtojnë programit ditor të tyre edhe një orë, që quhet konsultë pa pagesë.