Revolucioni, Botërori për atë që fiton më shumë gara
Formula 1 ka ndryshuar e gjitha. Në 2009-ën titulli i pilotëve do t‘i shkojë atij që fiton më shumë gara dhe jo më atij që fiton numrin më të madh të pikëve në klasifikim. E ka vendosur FIA në këshillin e saj botëror, të mbajtur dje në Paris. Pikët, të cilat do të ngelen të pandryshuara nga sezoni i kaluar (10 për vendin e parë, 8 i dyti, 6 i treti dhe kështu me radhë), do të nevojiten për të dhënë titullin në rastin kur të dy pilotët kanë arritur një numër të barabartë fitoresh dhe për të vendosur të gjithë renditjen nga vendi i dytë e më pas në klasifikimin e pilotëve. Këshilli botëror ka refuzuar si propozimin e reformës së skuadrave (12 pikë vendit të parë, 9 të dytit dhe 7 të tretit), ashtu edhe atë të dhënies së medaljeve për tre të parët në klasifikim. Ndërsa nuk ndryshon mënyra e përcaktimit të klasifikimit të konstruktorëve, e fituar gjithnjë nga skuadra, çifti i pilotëve të së cilës arrin të mbledhë më shumë pikë. Një revolucion total, mbi të gjitha nëse do të aplikohej për klasifikimin e sezonin 2008, të fituar nga Luis Hemilton në kuotën e 98 pikëve, një më shumë se Felipe Masa. Në fakt, me sistemin e ri titulli do të ishte fituar nga braziliani i Ferrarit, që do të ishte bërë kampion në Brazil, duke fituar garën e fundit dhe të 7-ën e tij sezonale (pas Bahreinit, Turqisë, Francës, Evropës e Belgjikës). Ndërsa Hemilton ishte ndalur në kuotën e pesë fitoreve: Australi, Monako, Britani e Madhe, Gjermani e Kinë). Ky ndryshim nuk është e reja e vetme e miratuar nga këshilli për sezonin që fillon më 29 mars në Melburne, Australi: skuadrat do të kenë mundësinë të testojnë tri herë një pilot emergjent të tyre mes fundit të sezonit dhe 31 dhjetorit, dhe të bëjnë 8 teste të aerodinamikës mes 1 janarit dhe fundit të Botërorit.