E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtime të reja të rezultateve të zgjedhjeve

Me gjithë vlerësimet e para pozitive për zgjedhjet e balotazhit në Kosovë, tashmë kanë dalë mjaft parregullsi që mund ta kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve jo vetëm në Prizren, por edhe në Gjilan, në Lipjan, apo edhe në ndonjë komunë tjetër
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka pranuar se ka pasur parregullsi edhe në përpilimin e procesverbaleve që përmbajnë rezultatet dhe prandaj ka vendosur që të anulojë votimet në 9 vendvotime, prej të cilave 600 vota janë në Prizren. Kjo nënkupton se rezultati në këtë komunë edhe mund të përmbyset për njërën apo tjetrën parti.
Kryetarja e KQZ-së, zonja Lushta, nuk e ka përjashtuar as mundësinë e rinumërimit të votave në vendet kontestuese, nëse kjo kërkohet.
Zyrtarisht është thënë se çështja ka kaluar në komisionin për parashtresa dhe ankesa dhe se akoma nuk dihet se kur do të ketë një përgjigje përfundimtare se në sa vendvotime do të anulohen rezultatet.
Kryetari i këtij komisioni, Tahir Rreci, pranon se ka marrë 74 ankesa me vërejtje serioze, por thotë se për shqyrtimin e tyre duhen edhe disa ditë dhe këtë vonesë ai e arsyeton me procedurat që i përcakton ligji.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, pas Prizrenit ka kontestuar rezultatet e zgjedhjeve edhe në Gjilan, një tjetër komunë e madhe kjo e Kosovës. Shefi i shtabit zgjedhor të kësaj partie, Lutfi Haziri, por edhe kandidati për kryetar i kësaj komune, Fatmir Rexhepi, kanë dalë me akuza të rënda për PDK-në, e cila sipas tyre i ka mbushur kutitë e votimit pas mbylljes së vendvotimeve.
Lutfi Haziri thotë se "vullneti i popullit të Gjilanit është cenuar. Demokracia në Kosovë është e rrezikuar. Sjellja në Gjilan dhe gjendja që është krijuar në Gjilan ka dëshmuar qartë se demokracia është seriozisht e rrezikuar".
"Natyrisht që parregullsi ka pasur në shumë vendvotime dhe qendra të tjera të votimit, të cilat i kemi konstatuar. Kemi mospërputhje të shifrave. Në momentin që barazohen shifrat, sipas vullnetit të shprehur të qytetarëve, ne do të reagojmë", ka thënë zoti Haziri.
Kandidati i PDK-së për Gjilanin, Qemajl Mustafa, thotë se këto janë përpjekje për destabilizim të situatës politike në Gjilan dhe nuk kanë të bëjnë fare me manipulim votash.
Në fakt ka disa komuna që kanë rezultat tepër të ngushtë zgjedhor, dhe prandaj është kontestuar rezultati i tyre. Po thuhet se situata mund të sqarohet pas numërimit të votave me kusht. Burim Ahmeti nga qendra e numërimit thotë se numërimi i votave me kusht fillon sot, por nuk saktëson një ditë se kur do të përfundojë.
Sidoqoftë, kapitulli i zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit në Kosovë akoma është larg përmbylljes. Fakti që janë kontestuar rezultatet e zgjedhjeve në disa komuna të mëdha siç janë Prizreni, Gjilani e Lipjani, ka bërë që çështja të kërkojë trajtim serioz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›