Kaliforni, frikë për presidentin Obama

Dy avionë luftarakë janë thirrur të ngrihen në fluturim për t’i zënë rrugën një avioni të vogël që kishte hyrë gabimisht në zonën e “ndalim fluturimit” rreth avionit presidencial.
Dy avionët luftarakë, me t’u ngritur në ajër me urgjencë të madhe, i kanë prerë rrugën avionit të vogël dhe e kanë detyruar të ulet pranë aeroportit El Monte.
Sapo ka pushuar alarmi, avioni me presidentin e Shteteve të Bashkuara në bord ka mundur të fluturojë nga Los Anxhelos drejt Renos, në Nevada. Incidente të këtij lloji nuk janë të rrallë.
I fundit ndodhi në shkurtin e kaluar, kur Obama po fluturonte me helikopterin e tij “Marine One”. Helikopteri presidencial ndodhej edhe këtë herë në Kaliforni, kur papritur një avion i vogël “Cessna” ishte afruar papritur, duke shkaktuar alarmin.
Nga baza ajrore March Air Reserve, edhe këtë herë, u ngritën në fluturim dy “F-16”, që i prenë rrugën avionit të vogël dhe e shoqëruan deri në aeroportin Long Beach.
Të alarmuar agjentët e shërbimeve sekrete hipën në bordin e “Cessna” dhe gjetën rreth 20 kilogramë lëndë narkotike të tipit marijuanë. (tch)