Situata në Greqi shqetëson SHBA-në

Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Barack Obama në Shtetet e Bashkuara argumentoi se "rezultati i paqartë" në zgjedhjet parlamentare greke i bën më të komplikuara përpjekjet për të zgjidhur krizën greke të borxhit.
Zyrtari i cili dëshiroi të mbetet anonim, tha për "Washington Post" se qeveria e SHBA-së po shqyrton nëse udhëheqësit grekë mund të formojë një qeveri funksionale, e cila të negociojë me Bankën Qendrore Evropiane, Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Sipas tij, SHBA vlerëson se rezultati i zgjedhjeve greke nuk e ka ndryshuar faktin se Greqia është e angazhuar për të ndërmarrë një seri reformash ekonomike.
Ndërkaq sipas "Washington Post", presidenti Obama po vëzhgon me kujdes komunikimet dhe veprimet e liderëve politikë grekë, pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, që krijuan pengesa në përpjekjet për të rindërtuar ekonominë greke.