E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaliforni, shpallet gjendja e jashtëzakonshme nga zjarret

Në kontenë e Santa Cruzit në Kaliforni është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, ku që prej ditës së mërkurë zjarret kanë detyruar më shumë se dy mijë persona të largohen. "Një zjarr i madh ka përfshirë kontenë e Santa Cruzit dhe nevojat janë të mëdha për të mbështetur atë që është bërë në nivel lokal për të luftuar me flakët", deklaroi zëvendësguvernatori John Garamendi në një komunikatë.
"Kam parë dëmet dhe kam shkuar në qendrën e operacioneve, por ky zjarr është shumë larg shuarjes", shtoi ai. Departamenti Kalifornian i Parandalimit të Zjarreve saktësoi në faqen e tij të internetit se konteja e Santa Cruzit, 560 kilometra në veriperëndim të Los Anxhelesit, kishte urdhëruar evakuimin e 2.200 - 2.400 personave, ndërsa më shumë se 250 shtëpi kërcënoheshin nga flakët në komunat Suanton dhe Bonny Doon. Sipas të njëjtit burim, zjarri mund të ketë përfshirë tashmë më shumë se 1 600 hektarë vegjetacione dhe kontrollohej vetëm në masën pesë përqind. Për më tepër, terreni i thyer i bën pothuajse të pamundura operacionet nga toka dhe zjarri mund të luftohet vetëm nga ajri. Gjendja e jashtëzakonshme do të mundësojë t'i jepet ndihmë financiare Santa Cruzit dhe ndihmë për rindërtimin e infrastrukturës. Shkaqet e zjarrit janë ende të panjohura, sipas Calfire. Kalifornia bëhet shpesh pre e flakëve. Në 2007-ën ajo pësoi zjarret më të këqia në historinë e saj. 640 mijë banorë u evakuuan dhe dy mijë shtëpi u shkatërruan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›